Lidhje

Përdorimi civil i avionëve pa pilot


Duke gjykuar nga pjesëmarrja në një ekspozitë ndërkombëtare të kohëve të fundit në Uashington, avionët pa pilot duket të jenë një mjet që do të vazhdojë të prodhohet dhe përdoret. Por përdorimi i gjerë i avionëve të telekomanduar në sektorin privat po pengohet nga mungesa e ligjeve dhe rregulloreve rreth tyre.

Avionët e telekomanduar kanë shumë avantazhe. Në krahasim me avionët me pilot, ata janë më të lirë për t’u blerë, për t’u përdorur dhe për t’u mirëmbajtur. Mund të dërgohen në misione të rrezikshme pa rrezikuar ndonjë ekuipazh.

Por, avionët pa pilot mund të jenë të dobishëm jo vetëm për shërbime ushtarake. Ata mund të ndihmojnë në gjetjen e eksploruesve të humbur në vende të shkreta, në monitorimin e të lashtave, në spërkatjen e vreshtave, mund të transportojnë ilaçe, të eksplorojnë për naftë, të monitorojnë linjat energjetike, madje dhe të dorëzojnë ushqimin e porositur.

Pengesa kryesore për përdorimin civil të tyre në Shtetet e Bashkuara është mungesa e rregulloreve. Administrata Federale e Aviacionit, përgjegjëse për hapësirën ajrore të SHBA-së, lejon vetëm një përdorim të kufizuar të avionëve të telekomanduar në zona ku trafiku ajror është i pangarkuar, si Alaska.

Operatorët duhet të pajisen me një çertifikatë të posaçme për të përdorur avionë pa pilot dhe Administrata e Aviacionit i tha Zërit të Amerikës se ajo përjashton "përdorimin e tyre për transport të njerëzve apo objekteve me qëllim fitimi, por lejon shfrytëzimin e tyre për hulumtime dhe zhvillim, për demonstrime të fluturimeve apo promovim, si dhe për trajnim ekuipazhi."

Këto janë aktivitetet që kompania AeroVironment planifikon të bëjë me avionin e saj të suksesshëm të quajtur Puma. David Heidel është administrator i marketingut.

"Siç njoftuam pak javë më parë do të kërkojmë klasifikimin në kategorinë e kufizuar nga Administrata, që do të na lejonte të përdornim avionin Puma në rajonin e Arktikut dhe aty do të synojmë monitorimin e derdhjeve të naftës, mbikëqyrjen e kafshëve të egra si dhe do të monitorojmë bregdetin".

Në ekspozitën e zhvilluar në Qendrën e Konventave të Uashingtonit kishte shumë modele avionësh dhe helikopterësh pa pilot, por edhe mjete të tjera të telekomanduara për transport tokësor dhe nënujor. Prodhuesit theksojnë se mjetet e tyre, të ideuara për ushtrinë, mund të përshtaten për përdorim civil. Jason Rittenhour është inxhinier i kompanisë Applied Research Associates.

"Janë efektivë në dhënien e imazheve ajrore dhe ne tani po punojmë me ushtrinë, policinë kufitare, departamentet e zjarrfikësve si dhe agjencitë e zbatimit të ligjit. Ka një interesim të madh nga këta të fundit, veçanërisht nga skuadrat SWAT, pasi mund të marrin pamjet nga ajri që ata duan".

Por, procesi i lejimit të përdorimit komercial të avionëve pa pilot po përparon më ngadalë se vetë teknologjia, për shkak se Administrata Federale e Aviacionit nuk ka përcaktuar një plan për mbrojtjen e privatësisë së amerikanëve. Kongresi mund të konsiderojë një projekt-ligj për të ndalur procesin derisa Administrata të përgatisë një raport mbi çështjet e mundshme të privatësisë të lidhura me avionët e telekomanduar.

Për momentin, prodhuesit do të vazhdojnë të varen nga blerjet e ushtrisë dhe të autoriteteve të zbatimit të ligjit.
XS
SM
MD
LG