Lidhje

Australia dikton objekte që mund t'i përkasin avionit malajzian


Australia thotë se ka zbuluar disa mbetje që mund t’i përkasin avionit të zhdukur të shoqërisë Malaysia Airlines në jug të Oqeanit Indian.

Kryeministri Tony Abot tha sot para parlamentit se dy objekte ishin diktuar në pamjet satelitore. Ai tha se mjeti fluturues Orion dhe tre avionë të tjerë janë nisur për në pikën ku u panë objektet.

Zoti Abot paralajmëroi të mos bëhen supozime për natyrën e objekteve, duke thënë se do të jetë shumë e vështirë për t’i gjetur. Zyrtarët kanë në plan të zhvillojnë një konferencë për shtyp sot për të diskutuar ato që mund të zbulohen.

Australia ka ndihmuar në koordinimin e kërkimeve në pjesën jugore të zonës së operacioneve për avionin që u zhduk më 8 mars pa lënë gjurmë. Të paktën 26 vende janë përfshirë në kërkime në një zonë që shtrihet mbi 7 milionë kilometra katrorë.
XS
SM
MD
LG