Lidhje

Bisedë me piktorin Avni Delvina


Intervistë me piktorin Avni Delvina
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:45 0:00
Korriku i vitit 1990 shënoi për Shqipërinë një nga protestat më të mëdha kundër regjimit komunist. Mijëra të rinj thyen izolimin e diktaturës, duke kërkuar strehim politik në ambasadat perëndimore. Piktori Avni Delvina është një prej tyre. Ai tani jeton dhe krijon midis Italisë dhe Shqipërisë. Ai mendon se vendi ka ndryshuar shumë dhe ka nevojë për mbështetje të gjithanshme që të ecë përpara. Me zotin Delvina bisedoi korrespondenti i Zërit të Amerikës në Tiranë, Ilirian Agolli.

Intervistë me piktorin Avni Delvina
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:45 0:00


Sa herë që vjen korriku piktorin Avni Delvina e pushtojnë kujtime dhe emocione të vecanta. Ai është njëri prej shumë të rinjve shqiptarë që hynë në ambasadat perëndimore në 2 korrik 1990 për të refuzuar diktaturën dhe për të kërkuar një jetë më të mirë.

Avniu thotë se sot pas 23 vitesh ndryshimi i Shqipërisë është kaq i madh sa që duket se ato ngjarje nuk kanë ndodhur. “Rinia e viteve 80 -90 mund të shihet nga shumëkush si brezi i humbur i Remarkut, por megjithë dëmtimet, ai brez kishte ideale për jetën” - thotë ai.

Kur shkoi në Itali Avniu punoi fort me pikturën dhe tërhoqi vëmendjen e qarqeve artistike me veprat e veta. Pas një pune këmbëngulëse për 15 orë në ditë, arriti të ekspozojë veprat në galeri të mëdha të Italisë si galeria Arte di Camineto dhe aktualisht po ndërton një ekspozitë për në Shqipëri. Krahas pikturave me ngjyra ai ka krijuar mjaft grafika mbi diktaturën dhe demokracinë.

“Motivet dhe personazhet e grafikave vijnë nga Tirana, sheshi Skënderbej, shëtitorja, piramida, lumi i Lanës dhe figura të stalinizmit” - thotë zoti Delvina. Ai shton se gjendjen në Shqipëri e sheh me entuziazëm dhe se shpesh bëhen kritika të pamerituara. “Do të duhen disa breza që situata demokratike dhe mirëqenia të konsolidohet dhe kjo ka nevojë për mbështetje të gjithanshme” - thotë ai.

Pakush e di se Avni Delvina mban emrin e gjyshit që ishte delegat i pavarësisë së Shqipërisë me Ismail Qemalin në Vlorë, dhe se është nip i Sulejman Delvinës, kryeministrit të Kongresit të Lushnjes, pjesëtar i një familjeje plot figura të shquara historike si Hiqmet e Namik Delvina, detaje që ai i pohon me modesti dhe ndroje, dhe shpreh gëzim që familja Delvina po rivlerësohet për ndihmesën e madhe që ka dhënë në çështjen kombëtare.

Avniu thotë se tani njerëzit janë bërë më shumë materialistë gjatë tranzicionit, por ai ka besim se idealizmi i shqiptarëve do të kthehet nga mungesa, kur ta kuptojnë se bota materiale nuk është gjithçka. Deri atëherë ai nuk do të ndalojë së pikturuari, duke u dërguar njerëzve mesazhet e tij artistike për jetën dhe të ardhmen.
XS
SM
MD
LG