Lidhje

Azia, rajoni gjithnjë e më i rëndësishëm për amerikanët


Azia, rajoni gjithnjë e më i rëndësishëm për amerikanët
Azia, rajoni gjithnjë e më i rëndësishëm për amerikanët

Presidenti kinez Hu Gjintao mbërriti mbrëmë në Uashington, ndërkohë që një numër gjithnjë e më i madh amerikanësh e shikojnë Azinë si rajonin më të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Ky përfundim arrihet në një anketë të re opinioni e kryer nga qendra kërkimore Pew.

Kur flet me njerëz në kryeqytetin amerikan rreth marrëdhënieve Amerikë-Kinë, marrëdhëniet ekonomike dhe tregëtare citohen si shqetësimi kryesor. David thotë:

"Po të shikojmë ekonominë e Kinës dhe sa shumë ne marrim borxh nga ai vend, kontrolli që mund të ketë ose jo Kina mbi Shtetet e Bashkuara për shkak të këtij borxhi, mendoj se është me rëndësi që Presidenti Obama të bisedojë me palën kineze dhe që ata të vijnë këtu".

Kur bëhet fjalë për ekonominë në rritje apo ushtrinë gjithnjë e më të fuqishme të Kinës, mendimi është se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të kujdesshme.

"Mendoj se ka arsye që duhet të na shqetësojnë. Me siguri që duhet të mos harrojmë se marrëdhëniet me Kinën janë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, ndërsa ky vend aziatik bëhet gjithnjë e më shumë një forcë e rëndësishme në arenën globale".

Por shumë të tjerë thonë se të dy vendet kanë nevojë për njeri tjetrin. Si kjo grua, për shembull.

"Për mendimin tim, marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të tensionuara për momentin, por ato duhet të bashkëpunojnë sepse kanë interesa të përbashkëta".

Sipas një ankete të fundit të qendrës kërkimore Pew, është fuqia ekonomike e Kinës dhe jo fuqia ushtarake në rritje që i shqetëson më shumë amerikanët.

Kjo anketë tregon se publiku amerikan kërkon që Presidenti Obama të jetë më i ashpër në marrëdhëniet tregëtare me Kinën dhe të kërkojë lidhje më të forta.

Karrol Dorti, një prej autoreve të studimit, thotë se publiku amerikan kërkon disa gjëra që duket se bien ndesh me njëra-tjetrën.

"Me pak fjalë, amerikanët kërkojnë çdo gjë. Ata duan të krijojnë marrëdhënie të forta, por edhe duke e ditur se Kina ka një avantazh të madh në tregëtinë dypalëshe, ata duan që presidenti të mbajë një qëndrim më të ashpër rreth çështjeve tregtare. Nëse ai mund t’i arrijë të dy këto objektiva, nga pikpamja e publikut amerikan, kjo do të ishte ideale".

Bashkë me ndikimin në rritje të Kinës, në rritje është edhe rëndësia e Azisë si një rajon i tërë. Sipas anketës, Azia është tani rajoni më i rëndësishëm i botës për amerikanët, në vend të Evropës që ishte në të kaluarën.

"Deri në vitet 90, publiku ende e shikonte Evroën si rajonin më të rëndësishëm të botës. Ndërsa tani është Azia dhe kjo për mendimin tim pasqyron realitetin. Mendoj se kjo vjen nga ndjenja që ekziston rreth zhvillimit jo vetëm të Kinës, por edhe rëndësisë së Koreve dhe vendeve të tjera aziatike".

Shumë prej të anketuarve e shikojnë Kinën si kërcënimin më të madh për Shtetet e Bashkuara, e pasuar nga Koreja e Veriut dhe Irani. Por kur u pyetën më konktretisht, të anketuarit e shikojnë Kinën si një problem serioz dhe jo një rival të hapur.

"Ne duhet të jemi miq dhe të bashkëpunojmë. Jemi në një pozitë të vështirë për shkak të formës së qeverisë në Kinë dhe qëndrimit të tyre kapitalist ndaj ekonomisë. Është një aspekt interesant për t’u ndjekur. Gjëndja me siguri që nuk është si në ditët e Mao Ce Dunit, por ne duhet të bëjmë përpjekjet tona për të qënë miq të mirë me ta ashtu si edhe ata duhet të bëjnë të njëjtën gjë".

Dhe kjo është pikërisht ajo që pritet të bëjnë presidentët Hu dhe Obama kur të zhvillojnë një seri takimesh sot dhe kur presidenti Hu të pritet në Shtëpinë e Bardhë për një darkë shtetërore, e para për një udhëheqës kinez pas më shumë se një dekade.

XS
SM
MD
LG