Lidhje

Aziatikët e rinj imigrantë dhe statusi i tyre


Në Shtetet e Bashkuara ka rreth 11 milion imigratë të paligjshëm. Ndërsa ligjvënësit debatojnë rreth reformës së imigracionit dhe më shumë në fokus janë imigrantët nga Amerika Latine, pesë nga 10 vendet e imigrantëve të paligjshëm janë në Azi. Elizabeth Lee njofton nga Los Anxhelosi se Kalifornia ka numrin më të madh të imigrantëve pa dokumenta.

Pritja për autobuzin nuk është një gjë e re për Anthony Ng. Ai nuk mund të marr patentën e shoferit pasi është immigrant i paligjshëm. Kjo do të thotë gjithashtu të jetosh me frikë.

“Frikë nga dëbimi, frikë se njerëzit do të të trajtojnë ndryshe, frikë se nuk mund të shkoj në kolegj, frikë se edhe pse kam punuar shumë ende nuk janë të gjendje të realizoj ëndërrat e mia”.

Gati 1.3 milionë imigrantë të paligjshëm nga Azia jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Anthony erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Filipinet me prindërit e tij kur ishte 12 vjeç.

“Kur bizneset tona falimentuan në Filipine, nuk kishim si të jetonim. Kjo ishte arsyeja të vendosëm të vinim këtu për të më dhënë mua dhe vëllezërve të mi një jetë më të mire. Për këtë u jam shumë mirënjohës prindërve”.

Ai zbuloi se ishte pa dokumenta kur filloi të aplikonte për bursa dhe ndihmë financiare për kolegj. Imigrantët e paligjshëm janë të përjashtuar nga ndihmat financiare.

“U konsultuam me avokatë për të parë në se mund ta ndryshoja dot statusin e imigracionit, dhe më thane se nuk mund të bëja gjë tjetër veçse të prisja për reformën e imigracionit”.

Kongresi vazhdon të debatojë reformën e imigracionit, por shpresa erdhi qershorin e kaluar. Një ligj i ri u jep leje të përkohshme punësimi imigrantëve pa dokumenta që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara që kur kanë qënë fëmijë duke shmangur kështu dëbimin nga vendi.

Tiffany Panlilio ndihmon imigrantët pa dokumenta të aplikojnë për këtë status. Ajo thotë se ka një pagesë prej 465 dollarësh dhe aplikantët duhet të provojnë se kanë qënë në Shtetet e Bashkuara që kur kanë qënë fëmijë.

“Është shumë e vështirë për njerëzit që kanë jetuar në hije dhe që janë përpjekur kaq shumë për të mos i patur emrat e tyre në asnjë dokument pastaj papritur të dalin e të provojnë se kanë qënë gjithë kohën këtu”.

Deri tani, vetëm 300 mijë njerëz në mbarë vendin kanë përfituar nga ligji i ri. Shumica e tyre janë nga Meksika. Përveç Amerikës Latine, shumë nga imgrantët pa dokumenta vijnë nga Kina, Filipinet, India, Koreja e Jugut dhe Vietnami. Më shumë se 100 mijë aziatikë në mbarë Shtetet e Bashkuara mund të kualifikohen për të marrë statusin e ri. Panlilio thotë se disa prej tyre nuk kanë aplikuar pasi janë mësuar të kenë frikë nga qeveria.

“Veçanërish në median kineze kam vënë re se ata janë shumë skeptikë”


Organizata të komuniteteve aziatike janë përpjekur të edukojnë dhe të inkurajojnë njerëzit të aplikojnë për statusin. Anthony Ng aplikoi dhe mori lejen e përkohshme të punësimit vitin e kaluar.

“Vlerat amerikane që kam mësuar këtu më bëjnë mua amerikan. Nuk mendoj se është një cope letër. Është mënyra si u rrita, si flas, si mendoj dhe si ndjehem”.

Mënyra e tij amerikane e të folurit e bëri atë të jetë një aktivist për imigrantët e paligjshëm.

Tani që ka një punë të përhershme, ai ka në plan të marr patentën sa më parë dhe të ndjekë studidmet për drejtësi në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG