Lidhje

Irak: Rritet numri i të vrarëve nga shpërthimet


Zyrtarët irakianë thanë ka arritur në të paktën 151 numri i personave që humbën jetën nga sulmi vetvrasës me kamion në kryeqytetin e vendit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon tha se është "i tronditur nga mospërfillja e plotë për jetën njerëzore", e treguar nga personat përgjegjës për sulmet e së dielës nga të cilat u plagosën gjithashtu 186 vetë.

Grupi Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Shumica e vdekjeve erdhi nga një sulm vetvrasës me kamion pak pas mesnate në një zonë të ngarkuar të pazarit në lagjen Karada të Bagdatit. Sulmi, më vdekjeprurësi në Bagdat këtë vit, ndodhi ndërsa shumë njerëz kishin dalë në rrugë pas një dite agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit.

"Cila është arsyeja për t’i lënë fëmijët jetimë? Të rinjtë që u vranë këtu janë shokët e mi. Çdo ditë shkonim në këto dyqane që i kemi pranë shtëpive," thotë banorja Ayman al-Khazraji.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin duke thënë se ai kishte në shënjestër shiitët. Militantë, kryesisht suni, i konsiderojnë shiitët heretikë.

Sulmi i së dielës në Bagdat erdhi pak më shumë se një javë pasi forcat irakiane morën në kontroll Falluxhën nga Shteti Islamik, vetëm 50 kilometra në perëndim të kryeqytetit.

Militantët morën nën kontroll zona të mëdha në veri dhe perëndim të Irakut dy vjet më parë.

Forcat irakiane që luftojnë në terren dhe sulmet ajrore të koalicionit që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, kanë bërë të mundur që shumë territore të rimerren, përfshirë Falluxhën muajin e kaluar, por Shteti Islamik ende kontrollon disa qytete të mëdha si Mosuli.

Në Irak, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bagdad, Stuart Jones, u takua me Ministrin irakian të Mbrojtjes Khalid al-Obeidi, pas dy sulmeve vdekjeprurëse, që shkaktuan të paktën 124 të vrarë dhe 186 të plagosur. Të dy zyrtarët biseduan për mënyra e bashkëpunimit më të mirë mes të dy vendeve në luftën kundër Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG