Lidhje

Ballkan, arrestohen 13 të dyshuar për krim të organizuar


Policia në Bosnjë, Kroaci e Slloveni, arrestoi të hënën 13 persona nën dyshimin për "vjedhje identiteti", duke konfiskuar armë dhe dokumente të falsifikuara, në një goditje ndaj krimit në Ballkan.

Autoritetet boshnjake thanë se kanë arrestuar tetë persona përfshirë edhe një oficer policie në Banja Llukë, Gradishkë dhe Sanski Most, ndërsa tre veta u arrestuan në Kroaci dhe dy në Slloveni.

"Gjatë bastisjeve në secilin prej këtyre vendeve, policia konfiskoi armë, një numër të konsiderueshëm të dokumenteve të falsifikuara, telefona celularë dhe kartela telefoni, kompjuterë dhe pajisje fotografike", thuhet në një komunikatë të ministrisë se Brendshme të Bosnjës.

Agjencitë boshnjake të sigurimit kanë shtuar bashkëpunimin me fqinjët në luftën kundër krimit të organizuar si pjesë e përpjekjeve të vendit për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Të dyshuarit kanë përfituar mijëra euro duke vjedhur të dhënat personale të boshnjakëve që jetojnë jashtë vendit dhe duke falsifikuar karta identiteti dhe pasaporta biometrike, që u janë shitur bandave kriminale në Serbi, Kroaci, Mal të Zi, Slloveni e Bullgari, thanë autoritetet në Bosnjë.

Krimi i organizuar mori hov në Ballkan gjatë luftërave të viteve të 90-ta që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë, duke krijuar rrjete të sofistikuara që shfrytëzuan kufijtë e brishtë, teprinë e armëve të lira dhe sistemet politike e të sigurisë të dërmuara nga korrupsioni.

XS
SM
MD
LG