Lidhje

Trazirat në Baltimorë, temë propagande anti-amerikane


Në mbarë botën, trazirat e kësaj jave në Baltimorë pas vdekjes së një të riu afrikano-amerikan që ishte ndaluar nga policia, po shfrytëzohen nga kundërshtarët e Amerikës për të ushqyer një fushatë propagande dhe kritikash, e cila po përdoret për të goditur Amerikën, thonë analistët.

Disa qeveri perëndimore, ndër të cilat edhe qeveria amerikane, po fuqizojnë fushatat e tyre mediatike për t’iu kundërvënë disinformimit që përhapet përmes medias sociale.

Por sipas studiuesit David Altheide mundësitë shpesh janë të kufizuara.

"Përgjigja duhet të jetë minimale dhe shumë e fokusuar,” thotë zoti Altheide, i cili ka kryer studime mbi propagandën dhe median. “Sfida kryesore me median sociale është fakti që është tepër e përhapur”.

"Gjithnjë e më shumë njerëz në mbarë botën po përdorin median sociale sepse ka efekt të menjëhershëm, është vizuale dhe personale,” thotë zoti Altheide.

“Për këtë arsye media sociale ka tendencën të jetë shumë efektive. Përgjigja më e mirë që mund të japin Shtetet e Bashkuara duhet të jetë e kufizuar, e vërtetë dhe e fokusuar tek problemi”.

Por para se të shuheshin zjarret në Baltimorë pas trazirave të së hënës, kritikët e Shteteve të Bashkuara ishin hedhur në sulm në median sociale duke shfrytëzuar rastin.

Në llogarinë e Twitterit të udhëheqësi Suprem të Iranit, Ayatollahut Ali Khamenei u publikuan tetë komente për vdekjen e 25-vjeçarit Freddie Gray pas arrestit nga policia.

“Pushteti dhe tirania nuk janë e njëjta gjë. Në disa vende si në Shtetet e Bashkuara policia duket se ka shumë fuqi, por po vret njerëz të pafajshëm. #FreddieGray #RekiaBoyd” – thuhej në komentin e parë.

Në komentet që pasuan, ai kritikon ato që i cilëson si vrasje të pajustifikueshme të afrikano-amerikanëve nga policia, lavdëron fenë islame, që kërkon nga policia të tregohet e mëshirshme dhe thumbon Presidentin Obama duke e quajtur absurd faktin që vazhdojnë krimet kundër afrikano-amerikanëve në një kohë që presidenti është afrikano-amerikan.

Komente negative nga burime anonime ruse në faqe interneti, si ajo e kanalit rus RT, i quanin Shtetet e Bashkuara “hipokrite” “kriminele” , “vend skllavopronar” e ofeza të tjera edhe më të rënda.

“Shtetet e Bashkuara kanë paturpësinë t’i japin mend Rusisë se si duhet të sillet policia” shkruhet në një koment. Konstantin Dolgov, Komisioneri rus për të Drejtat e Njeriut tha se trazirat hedhin dritë “mbi thellësitë dhe karakterin sistematik të diskriminimit racor në Shtetet e Bashkuara”.

Ekstremistë që kanë lidhje me grupin Shteti Islamik ndërhynë me komente në Twitter, tek forume popullore si #BlackLivesMatter, #BaltimoreRiots, dhe #FreddieGray, për të kritikuar Perëndimin dhe për të rekrutuar simpatizantë.

“Në fenë islame dhe në Shtetin Islamik nuk ka dallim mes një individi të bardhë dhe dikujt me ngjyrë” shkruhej në një nga komentet me mesazhe pozitive për ISIS në Twitter.

Agjencia zyrtare kineze e lajmeve Xinhua publikoi një kritikë të ashpër si dhe një numër artikujsh duke i cilësuar trazirat e kësaj jave “… një tjetër dëshmi se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përçara dhe se shoqëria amerikane po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme, në një kohë kur sistemi ligjor nuk arrin të përmbushë aspiratat e qytetarëve”.

Nuk është diçka e re që një shtet të përpiqet të shfrytëzojë një situatë kritike të një kundërshtari për qëllime propagandistike. Rusia e ka bërë këtë gjë prej vitesh. Por media sociale po ndryshon mënyrën si luhet loja e propagandës, thonë ekspertët.

“Në shumë forma, propaganda dhe agjitacioni sovjetik i mesit të viteve 1980 si dhe lufta informatike që po bën sot Rusia janë identike” thotë Keir Giles, studiues në qendrën Chatham House, një institut për studime ndërkombëtare në Londër.

Zoti Giles, i cili ka punuar në ish-Bashkimin Sovjetik, ka studiuar mënyrën se si administrata e Presidentit Putin e shfrytëzon median sociale për të përhapur synimet dhe mesazhet e saj.

Megjithëse propaganda e vjetër sovjetike mund t’i ngjajë mesazheve të sofistikuara, që orkestron Kremlini në median sociale, zoti Giles thotë se ka dallim në një aspekt të rëndësishëm.

“Jehona që merr mesazhi përmes amplifikimit është arsyeja kryesore përse shfrytëzohet media sociale nga Rusia,” thotë ai. “Fushatat e komenteve anonime që përfshijnë qindra njerëz të angazhuar në postimin e komenteve në median sociale, në forume diskutimi dhe faqe opinioni e bëjnë këtë për të krijuar përshtypjen se disinformimi që përhap media shtetërore ruse ka në fakt mbështetje të gjerë”.

“Komentuesit anonim që përdorin emra perëndimorë e përsërisin informacionin e rremë ose të shtrembëruar nga burime ruse, përfshirë nga kanali Russia Today (RT) dhe një numër grupesh mediatike, sa më shumë që të munden. Kjo metodë mund të bëhet shumë efektive,” thotë zoti Giles.

Analisti Giles thotë se propaganda moderne ruse, e përhapur nga media sociale ka një numër synimesh përfshirë krijimin e konfuzionit, ndezjen e emocioneve dhe ndryshimin e opinionit publik në rajone të rëndësishme gjeografike.

“Parimet mbi të cilat bazohet kjo metodë janë të njëjta: dobësimi dhe destabilizimi i kundërshtarit duke përdorur çdo mjet të mundshëm me shpresën për të ndikuar tek procesi i formulimit të politikave dhe i marrjes së vendimeve,” tha ai.

“Përveç gënjeshtrave të hapura për Ukrainën, ka plot gjëra të tjera – infiltrimi në një numër zhvillimesh duke vënë komente të rreme për ngjarjet në Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre me synimin për të përçarë dhe dobësuar shoqëritë dhe qeveritë e tyre,” thotë zoti Giles.

Por fushatat mediatike të grupeve si Shteti Islamik dëshmojnë gjithashtu një nivel të lartë sofistikimi dhe aftësish dixhitale.

Analistë si zoti Gilles thonë se mënyra më efektive për të luftuar valën e re të propagandës elektronike është ta quash me emrin e saj të vërtetë: disinformim.

“Kur udhëheqësit perëndimorë dhe media kombëtare e identifikojnë qartë problemin dhe flasin hapur për të, kjo metodë ka treguar në të kaluarën se është një hap i madh për të nxitur analizën kritike në shoqëri dhe për të ndihmuar përdoruesit e thjeshtë të internetit në këto vende të kuptojnë se po manipulohen nga Rusia,” thotë ai.

"Niveli i analizës kritike është mjaft i ulët kur është fjala për propagandën që përhapet përmes medias sociale,” thotë analisti David Altheide. "Propaganda ka tendencën të fuqizohet nga perceptimet dhe paragjykimet e njerëzve. Pra mesazhet që përkojnë me paragjykime të caktuara janë të efektshme për momentin, por kjo kryesisht vërehet vetëm tek ata individë që kanë tendencën t’i besojnë këto mesazhe”.

XS
SM
MD
LG