Lidhje

Baltimorë, përfundojnë hetimet për rastin Gray


Policia në qytetin lindor amerikan të Baltimores sot përfundoi hetimet rreth vdekjes së një të riu afrikano-amerikan, ndërkohë që ai po mbahej në paraburgim nga policia, një incident që nxiti trazira në fillim të kësaj jave.

Ata i dorëzuan raportin prokurorëve të cilët tani do të vendosin nëse do të ngrejnë akuza ndaj gjashtë policëve të përfshirë në arrestimin e afrikano-amerikanit. Por nuk ka asnjë afat kohor për marrjen e një vendimi për policët, të cilët u pezulluan gjatë hetimit.

Gjendja në Baltimore sot ishte e qetë, tre ditë pas trazirave që shpërthyen në shenjë proteste ndaj vdekjes së 25-vjeçarit Freddie Gray, i cili vdiq nga një lëndim në shtyllën kurrizore më 19 prill, pas arrestimit të tij një javë më parë. Avokati i familjes Gray, Hassan Murphy, thotë se familja dëshiron që prokurorët në zyrën e prokurorisë së shtetit të shpenzojnë kohë për të kryer një hetim të mirëfilltë.

Pas dorëzimit të rastit tek prokuroria, Komisioneri i Policisë së Baltimores, Anthony Batts dha pak hollësi mbi hetimin e incidentit. Hetuesit e policisë zbuluan se furgoni që po transportone zotin Gray bëri një ndalesë shtesë gjatë rrugës drejt burgut, ku ai u mbajt, pa dhënë shpjegime për arsyen e ndalesës.

Më shumë se 200 demonstrues janë arrestuar në protestat e kësaj jave në Baltimore, por rreth gjysma e tyre janë liruar.

XS
SM
MD
LG