Banka Botërore zhvilloi sot një konferencë mbi sfidat e rritjes ekonomike të barabartë dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri.
Konferenca e përbashkët me qeverinë shqiptare shqyrtoi mundësitë e përshpejtimit të rritjes dhe zhvillimit ekonomik, si dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi këto sfida.
Studimi i Bankës Botërore zbuloi se rritja ekonomike po rifillon në Shqipëri dhe duhen përpjekje të vazhdueshme për të siguruar një rritje të fortë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Po tregjet e punës, vërejti Banka Botërore, vazhdojnë të jenë të dobëta dhe pengojnë rritjen e ekonomisë shqiptare.
“Si pengesa për punësimin e të rinjve nga banka Botërore shihen informacioni i pakët për arsimin dhe tregjet e punës, mungesa e përvojës së punës dhe rrjetet e dobëta profesionale” - thotë Ana Revenga, Drejtore e Lartë për Varfërinë dhe Barazinë në Bankën Botërore.
Reformat duhet të përputhen me nevojat e tregjeve të punës, sidomos në dobi të disa grupimeve si të rinjtë, gratë dhe pakicat kombëtare.
Të rinjtë me arsim të ulët përballen me faktorë shkurajues dhe pengesa në tregun e punës, ndërkohë që ka pabarazi edhe në aksesin e arsimit.
Këto janë arsyet pse migracioni i shqipërisë është i lartë dhe emigrantët janë popullsia më shumë e arsimuar se sa ajo që mbetet brenda vendit.
Studimi i Bankës Botërore pohoi po kryhen reforma në disa fusha si energjia, tatimet dhe pensionet, për të siguruar rritjen e qëndrueshme.
Ato duhet të vazhdojnë me këmbëgulje për të siguruar qëndrueshmërinë fiskale. por treguesit fiskalë mund të rrezikojnë rritjen e ardhshme për Shqipërinë.
“Gjatë hartimit dhe zbatimit të reformave publiku duhet të jetë i informuar për ndikimin që politikat fiskale kanë mbi varfërinë dhe pabarazinë” - thotë Ellen Goldstein, Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Europën Juglindore.
Ulja e varfërisë ka ndalur qysh prej krizës ekonomike globale dhe zbutja e varfërisë mbetet në sfidë.
Banka Botërore tha se ekzistojnë instrumenta për ta shpërndarë ndikimin e politikave fiskale.
Madje në këto reforma është thelbësore matja e vazhdueshme e varfërisë dhe e mirëqenies së familjeve.
Banka Botërore tha se Shqipëria ka nevojë të ngutshme për politika fiskale të shëndetshme, si qëndrueshmëria e pensioneve, zhdukja e deficiteve në energjitikë, ulja e borxhit dhe e shpenzimeve publike.