Banka Botërore u ka bërë thirrje qeverive të vendeve afrikane dhe dhuruesve të huaj, të shtojnë përpjekjet për të parandaluar infeksione të reja me virusin HIV në mënyrë që të mbahen nën kontroll kostot e trajtimit të të prekurve nga virusi.
Në një raport të ri për vendet e Afrikës Nën Sahariane, Banka thekson se programet ekzistuese të trajtimit të të infektuarve mund të bëhen të papërballueshme në se nuk ndodh një rënie dramatike e numrit të infeksioneve të reja. Kostoja e trajtimit të të prekurve nga Sida është e barabartë me koston e pensioneve.
Një prej bashkë-autorëve të studimit, Markus Haacker, thotë se vendet, që mbajnë peshën më të madhe të kostos, zakonisht nuk janë ato që kanë shkallën më të lartë të të prekurve, por përgjithësisht, janë vende me të ardhura të ulta, të cilave u mungojnë burimet për të trajtuar rastet e reja të infeksionit.
Banka Botërore thotë se raporti i ri duhet të bëhet nxitje për gjetjen e zgjidhjeve afat-gjata, si dhe për përdorimin më të efektshëm të programeve ekzistuese.