Lidhje

BQE vendos të blejë bonot e thesarit të eurozonës


Banka shpreson se ky veprim do të lehtësojë koston, që këto vende duhet të paguajnë për kreditë

Banka Qendrore Evropiane njoftoi se do të blejë bonot e thesarit të vendeve të eurozonës të zhytura në borxhe, me shpresë se ky veprim do të lehtësojë koston, që këto vende duhet të paguajnë për kreditë.

Në takimin e saj të sotëm banka nuk vendosi një kufi për sasinë e bonove që do të blejë. Kjo është përpjekja më e fundit e vendeve evropiane për të zgjidhur krizën e borxheve, që filloi para tre vjetësh.

Banka po ashtu e la të pandryshuar shkallën e interesit në 0,75 për qind, ndërsa njoftimet venë në dukje se ekonomitë e 17 vendeve të eurozonës vazhdojnë të tkurren. Tregjet e aksioneve në Evropë dhe Amerikë reaguan menjëherë duke shënuar rritje.

Drejtori i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi tha se blerja e bonove të thesarit synon t’u japë fund luhatjeve të theksuara të normës së interesit për vendet që ndodhen në vështirësi financiare si Spanja dhe Italia, kur ato shesin bono thesari në tregjet ndërkombëtare. Banka Qendrore shpreson që blerja prej saj e bonove, jo vetëm do të stabilizojë interesat, por edhe do të ndikojë në uljen e tyre.
XS
SM
MD
LG