Lidhje

Bankierët dhe drejtuesit e kompanive amerikane kanë parashikime pozitive për ekonominë


Bankierët dhe drejtuesit e kompanive amerikane kanë parashikime pozitive për ekonominë
Bankierët dhe drejtuesit e kompanive amerikane kanë parashikime pozitive për ekonominë

Miliona amerikanë janë ende të papunë dhe konsumatorët po shpenzojnë pak. Megjithatë, drejtuesit e lartë të disa prej kompanive kryesore amerikane mbeten optimistë se ekonomia amerikane vetëm sa po fillon të nxehet.

Drejtoresha ekzekutive e Business Roundtable, Johana Schneider:

“Mbi 80 përqind, le të themi 87 përqind e shitjeve do të shtohen. Kjo reflekton kërkesën e fuqishme.”

Zonja Schneider thekson se drejtuesit e lartë po ashtu thanë në anketën e zhvilluar nga Business Roundtable se presin që konsumatorët të rrisin shpenzimet në gjashtëmujorin tjetër, çfarë do të ndikojë në vende të reja pune sipas të anketuarve. 51 përqind e drejtuesve të kompanive thonë se firmat e tyre do të hapin vende të reja pune.

“Pjesa e dytë e vitit 2011 do të jetë një periudhë rritjeje. Jo aq e fuqishme sa do të na pëlqente ne por do të jetë një periudhë rritjeje.”

Drejtuesit e lartë të kompanive kryesore amerikane nuk janë të vetmit që ndihen pozitivë rreth perspektivave të ekonomisë amerikane. Bankierët amerikanë janë gjithashtu optimistë. Një raport të martën nga Shoqata e Bankierëve Amerikanë parashikon se prodhimi i përgjithëshëm i vendit do të rritet në masën 3 përqind deri nga fundi i vitit 2012, duke krijuar 4,5 milion vende pune gjatë këtij procesi.

Por asnjë nga raportet nuk nënkupton se problemet për ekonominë amerikane kanë marrë fund. Raportet e Shoqatës së Bankierëve Amerikanë thonë se edhe nëse parashikimi për krijimin e vendeve të punës del i vërtetë, ekonomia amerikane do të kishte krijuar rreth gjysmën e vendeve të punës të humbura gjatë recesionit.

Po ashtu, edhe drejtuesja e Business Roundtable, Johana Schneider, thotë se edhe drejtuesit e kompanive kryesore amerikane e dinë se rifitimi i të gjitha vendeve të humbura të punës nuk do të jetë i lehtë.

“Ata kanë besim tek kompanitë dhe aftësitë e tyre për të konkuruar, por ata po ecin përballë erërave të forta.”

Zonja Schneider thotë se erërat e forta janë çmimet e larta të naftës dhe problemet e dala nga termeti dhe cunami në Japoni që penguan dërgesat e furnzimeve dhe paisjeve për kompanitë në të gjithë botën.

XS
SM
MD
LG