Lidhje

Barroso bën thirrje për një unitet më të madh evropian


Barroso bën thirrje për një unitet më të madh evropian
Barroso bën thirrje për një unitet më të madh evropian

Përfaqësues të FMsë, Bankës Qendrore Evropiane dhe BE-së shkuan sot përsëri në Athinë për të vazhduar shqyrtimin e të ardhmes financiare të Greqisë, pasi i ndërprenë bisedimet në fillim të këtij muaji për shkak të mosmarrëveshjeve rreth përparimit që kishte bërë vendi drejt përmbushjes së objektivave për kapërcimin e krizës. Po sot, Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso bëri thirrje për një unitet më të madh evropian në përpjekjet për të kapërcyer krizën ekonomike të vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalimit që mbajti para Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës mbi gjendjen e vendeve të BE-së, zoti Barroso mbështeti një taksë të re për transaksionet financiare, taksë kjo që mund të sjellë të ardhura prej gati 75 miliardë dollarësh në vit. Zoti Barroso paralajmëroi se Bashkimi Evropian përballet me kërcënimin e shpërbërjes nëse nuk merren masa për integrimin e mëtejshëm ekonomik të 27 vendeve anëtare.

Ai theksoi se bashkëpunimi mes qeverive nuk është i mjaftueshëm për ta nxjerrë Evropën nga kriza dhe për të siguruar të ardhmen e saj. Megjithatë ai shprehu besimin e tij se kriza do të kapërcehet.

"Po, është e mundur që ta kapërcejmë këtë krizë. Jo vetëm që është e mundur, por është e domosdoshme. Kjo është ajo që ne e quajmë udhëheqje politike: të bëjmë të mundur atë që është e nevojshme".

Zoti Barroso e cilësoi krizën e tanishme financiare si më të rëndën në historinë e Bashkimit Evropian.

"Një paketë prej 500 milion eurosh për të garantuar huatë e bankave investuese evropiane për Greqinë tashmë është miratuar. Komisioni po shqyrton gjithashtu një mekanizëm më të gjerë garantues për të ndihmuar bankat që të japin hua e për të ndihmuar me të vërtetë ekonominë. Të gjitha këto masa përbëjnë një mbështetje shumë të madhe për përpjekjet e Greqisë, ndërkohë që Athina duhet të japë rezultate konkrete".

Ndërkohë, grekët vetë, duke filluar nga sot do të paguajnë një taksë të re, e cila u prit me greva në sektorin e transportit, duke i lënë kështu banorët e Athinës pa mjetet e përditshme për të shkuar në punë. Sindikatat kritikuan hapur masat e ashpra ekonomike, që qeveria shpreson se do të bëjnë të mundur sigurimin e paketa të domosdoshme financiare.

Edhe punonjësit e doganave dhe të postave dolën në grevë, ndërsa rreth 350 pensionistë demonstruan përpara ministrisë së financave kundër shkurtimit të pensioneve dhe ngritjes së taksave.

Dje, parlamenti grek miratoi taksën e re mbi pasuritë e patundshme, e cila ka ngjallur shumë debate. Ajo synon të shtojë të ardhurat, ndërsa vendi përpiqet të përmbushë detyrimet financiare dhe të sigurojë ndihmat e domosdoshme, me shpresë për të mos falimentuar.

XS
SM
MD
LG