Lidhje

Dënimi i Berishës, PD përgjigjet me bojkot


Demokratët vendosën sot të mos marrin pjesë në aktivitetet e parlamentit deri kur të përfundojë dënimi me përjashtim për 10 ditë ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për thirrjet për armatosjen e qytetarëve

Në Shqipëri Partia Demokratike vendosi sot që të bojkotojë parlamentit deri në përfundim të dënimit me 10 ditë përjashtim dhënë ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për shkak të thirrjes që qytetarët të armatoseshin për të mbrojtur vetveten.

“Në shenjë proteste ndaj një vendimi të padrejtë, të pambështetur dhe të paargumentuar në ligj dhe në rregullore, Grupi Parlamentar vendosi bojkot të plotë dhe të gjithanshëm të gjithë aktivitetit parlamentar gjatë kësaj jave. Një vendim që u mor si hakmarrje e Edi Ramës për denoncimin e aferës së Shullazit, megaskandalit të shtetit “Rama-Shullazi” me shpresën se përmes një vendimi të tillë do të sfumojë dhe debatin publik i cili po rritet nga dita në ditë, po zmadhohet, po forcohet mbi shtetin e Edi Ramës që rezulton të jetë shteti i Emiliano Shullazit”, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të partisë së tij

Kryetari Basha, përsëriti akuzat për lidhjet direkte të kryeministrit Edi Rama me Shullazin, i arrestuar 9 ditë më parë e ndaj të cilit prokuroria ka ngritur dyshime për një seri veprash të rënda penale.

Për këtë qëndrim të opozitës reagoi dhe zoti Rama. Ai e quajti "të drejtë" vendimin e marrë nga Byroja e parlamentit, ndërsa bojkoti, u shpreh ai, dëshmon se "Partia demokratike solidarizohet me thirrjen për armatosjen e popullit". Kryeministri përsëriti dhe një herë se sipas tij opozita kërkon të pengojë me cdo mënyrë Reformën në Drejtësi.

Përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë sot pasdite në mbledhjen e Komisionit të Reformës, duke respektuar vendimin politik për bojkot, por duke saktësuar se megjithatë, ekspertët e tyre do të vijojnë punën së bashku me ekspertët ndërkombëtarë mbi shqetësimet e ngritura nga opozita.

XS
SM
MD
LG