Lidhje

Ndahet nga jeta djali i Nënpresidentit Biden


Djali i nënpresidenti Joe Biden është ndarë nga jeta. Beau Biden, me moshë 46-vjeç, i cili pat shërbyer si prokuror i përgjithshëm për shtetin Delawer dhe në fillim të karrierës kishte punuar si jurist edhe në Kosovë, vdiq pas një beteje disa vjeçare me kancerin në tru.

Në një deklaratë të Nënpresidentit Biden thuhet “Me zemër të thyer njoftojmë ndarjen nga jeta të njeriut tonë të dashur, Beau, pas një beteje me kancerin në tru, të cilën e zhvilloi me të njëjtin dinjitet dhe forcë që ka treguar çdo ditë gjatë jetës së tij”.

46-vjeçari Beau Biden, djali i madh i nënpresidentit, kishte shfaqur probleme që në 2010, por ishte mjekuar me kimoterapi si dhe ishte operuar për të hequr një tumor. Muajt e fundit ai po mjekohej në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed pranë Uashingtonit.

Presidenti Obama dhe Zonja e Parë Michelle Obama shprehën keqardhjen e tyre përmes një deklarate, ku vlerësuan kontributin që ka dhënë Beau Biden për të ndihmuar dhe përmirësuar jetët e të tjerëve.

XS
SM
MD
LG