Lidhje

Katër të arrestuar për sulmin në Bruksel


Autoritetet belge thanë të enjten se policia ka arrestuar katër persona gjatë hetimeve mbi sulmin e shmangur në stacionin hekurudhor të Brukselit.

Zyra e prokurorit federal tha se arrestimet u kryen gjatë bastisjeve në Bruksel, përfshirë edhe ato në lagjen Molenbeek. Nuk janë dhënë hollësi se cilat mund të ishin lidhjet e të arrestuarve me sulmin.

Autoritetet belge thanë se personi që u vra të martën pas parandalimit të një sulmi terrorist mund të ketë mbështetur grupin ekstremist Shteti Islamik dhe se materialet që mund të përdoren për të prodhuar bomba, ishin gjetur në shtëpinë e tij.

Zëdhënësi i Prokurorisë Federale, Eric Van der Sypt u tha gazetarëve se i dyshuari ishte një 36 vjeçar i lindur në Marok, që u identifikua vetëm me inicialet O.Z., dhe se hetuesit e kishin kontrolluar shtëpinë e e tij gjatë natës.

Nuk kishte informacione të mëparshme që ta lidhnin të dyshuarin me terrorizmin, por Van der Sypt tha se hetuesit gjetën shenja se ai “kishte simpati për grupin terrorist ISIS.

Ai tha se ka mundësi që i dyshuari e kishte bërë bombën në shtëpi.

Sulmi ndodhi në Stacionin Qendror të Brukselit ku autoritetet thonë se personi iu afrua një grupi pasagjerësh, bërtiti dhe para se të shpërthente një çantë të vogël shpine. Fotot e postuara në rrjetet sociale tregojnë një zjarr të vogël në stacion, i cili u evakua së bashku me sheshin kryesor të Brukselit dhe destinacionin e rëndësishëm turistik “Grand Place”.

I dyshuari për aktin terorist vdiq më vonë nga plagët e marra nga armët e zjarrit. Një ekip i posaçëm realizoi një shpërthim të kontrolluar të një rripi me lëndë shpërthyese që mbahej nga autori i sulmit.

Qyteti është në gjendje alarmi për më shumë se 18 muaj që kur militantët e grupit Shteti Islamik me bazë në Bruksel, kryen sulme në Paris në nëntor të vitit 2015 që lanë pas vetes 130 të vrarë dhe më pas në mars të vitit të kaluar hodhën bomba në aeroportin dhe metronë e Brukselit, duke vrarë 32 veta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG