Lidhje

Belgjikë: Fitorja e partisë flamande shkakton befasi


Belgjikë: Fitorja e partisë flamande shkakton befasi
Belgjikë: Fitorja e partisë flamande shkakton befasi

Në Belgjikë, fitorja e shumicës së vendeve në dhomën e ulët të parlamentit nga një parti politike që kërkon ndarjen e Belgjikës, shkaktoi një befasi të madhe. Aleanca e Re Flamande, e udhëhequr nga Bart de Uever, fitoi 27 nga 150 vendet. Me rezultatin që rrëzon qeverinë e kryeministrit Iv Lëterm, votuesit përçuan një mesazh të fuqishëm paralajmërimi për politikanët frankofonë që të negociojnë seriozisht për t’u dhënë krahinave që flasin gjuhën hollandeze dhe franceze përkatësisht, më shumë autonomi përndryshe Flandra do të shkëputet nga vendi. Mbreti Albert filloi të hënën konsultimet për formimin e qeverisë së re të koalicionit.

“Është një ndryshim rrënjësor në qëndrimin e Belgjikës, me dy komunitete që votuan krejtësisht ndryshe nga njëri-tjetri. Vallonia votoi për sigurimet shoqërore dhe çështje të tjera. Flandra votoi bazuar në çështjen e shkëputjes dhe tani na duhet t’i pajtojmë të dyja komunitetet”, thotë Frensis Bautmans, një banor i Flandrës.

“Flamandët ishin të indinjuar me popullsinë frëngjisht folëse që vetëm thoshte ‘jo’. Flamandët sikur prisnin për Mesian që më parë ishte Lëterm dhe sot është De Wever”, thotë Florimond Gauberg.

Kështu reaguan banorët e Flandrës ndaj fitores së Aleancës së re Flamande në zgjedhjet që nxorrën në pah përçarjen mes Flandrës dhe Vallonias.

Në Vallonian frëngjisht-folëse, rezultati ishte një befasi. E përditshmja “Le Soir” shkruante “Flandra zgjodhi një mbret të ri”, duke iu referuar Bart De Ueverit, i cili i nxiti frankofonët të ndërtonin një vend funksional.

“Shteti duhet të reformohet. Financat duhet të vihen nën kontroll. Të gjithë ne flamandët duhet të luajmë rol në këtë drejtim. Për këtë qëllim unë i shtrij dorën e bashkëpunimit pjesës frëngjisht-folëse”, tha de Uever.

Reforma, për Aleancën e Re Flamande, do të thotë një ndarje të Blegjikës, dhe hyrjen e veriut më të pasur flamand me Bashkimin Evropian. Por pjesa më e varfër frëngjisht folëse druhet se do të ketë probleme edhe më të mëdha ekonomike nëse Flandra shkëputet. Fitorja e partisë flamande është një reagim i qartë ndaj koalicionit të Kristian-Demokratëve, Liberalëve dhe Socialistëve, drejtuar nga Lëterm. Qeveria ishte e ndarë në fraksione sipas gjuhëve dhe tre vitet e saj në detyrë u shoqëruan nga mosmarrëveshje lidhur me përdorimin e gjuhëve përkatëse. Këto mosmarrëveshje mbeten të pazgjidhura. Në Belgjikë, pothuajse gjithçka, që nga partitë politike, transmetimet televizive e deri tek fletët e votimeve, janë në versione dy gjuhëshe.

Ndërsa fillojnë bisedimet e koalicionit, duket se de Wever do ta ketë të vështirë të çojë përpara programin e tij për ndarje. Partia Socialiste frëngjisht-folëse ka fituar 26 vende dhe parti të tjera do të duhet të hyjnë në koalicion për të krijuar qeverinë. Pascal Delwitt, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Lirë në Bruksel, thotë se rezultati ka më shumë vlerë si apel për ta ndryshuar formën e shteti federal.

“Mendoj se skenari i ndarjes nuk është shumë realist. Është pothuajse e pamundur jo vetëm në planet afatshkurtra, por edhe afatmesme dhe afatgjata. Prandaj pyetja që shtrohet është se cili do të jetë organizimi i ri i kompetencave mes shtetit federal, rajoneve dhe komuniteteve”.

XS
SM
MD
LG