Serbia dhe Maqedonia ulën të mërkurën tensionet, dy ditë pasi Beogradi tërhoqi gjithë personelin diplomatik nga Shkupi.
Në një deklaratë të përbashkët pas një bisede telefonike, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev thonë se kanë rënë dakord për normalizimin e gjendjes dhe ngritjes së marrëdhënieve diplomatike e ekonomike midis dy vendeve.
Megjithatë, vendimi i tërheqjes së personelit diplomatik ka lënë shumë pyetje pa përgjigje.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev kanë zhvilluar një bisedë telefonike të mërkuren në drekë, pas acarimit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve ku si pasojë Serbia tërhoqi diplomatët e saj nga ambasada në Shkup.
Dy drejtuesit, sipas një komunikate të përbashkët, kanë rënë dakord që mospajtimet t’i zgjidhin me anë të dialogut; të promovojnë marrëdhënie miqësore dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Dy vendet do ta mbështesin njëri tjetrin në rrugën e integrimeve evropiane, ndërsa do t’i mbrojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore përmes konventave ndërkombëtare dhe vullnetit të mirë, thuhet në komunikatë.
Edhe ministrat e jashtëm të Serbisë dhe Maqedonisë, Ivica Daçiç dhe Nikolla Dimitrov kanë biseduar po ashtu të mërkuren përmes telefonit dhe janë marrë vesh për një takim që do të mbahej të premten në qytetin e Nishit në Serbi, për të forcuar marrëdhëniet miqësore, siç thuhet në një komunikatë të ministrisë së jashtme maqedonase. Zëvedës-kryeministri dhe ministri serb Daçiç e ka njoftuar ministrin maqedonas se personeli i ambasadës do të kthehet të premten në Shkup, ndërkaq ambasadorja më vonë.
Serbia kishte raporte mjaft të mira me pushtetin e kaluar në Maqedoni.
Ndërkaq, analistët në Shkup vlerësojnë se Beogradi duke bërë një gjest të pashembullt me tërheqjen e personelit përpiqej të maskojë përzierjen e agjentit të saj në trazirat e 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë.
Analisti Naser Ziberi thotë se problemi ka dy dimensione: atë praktik dhe strategjik:
“Strukturat e reja qeverisëse kanë kapur në flagrancë përfaqësuesin e ambasadës serbe brenda ndërtesës së parlamentit të përfshirë nga dhuna e demonstruesve. Ndërkohë, Serbia është e pakënaqur nga përmirësimi i marrëdhënieve të Maqedonisë me Bullgarinë, Shqipërinë dhe Kosovën, thotë z. Ziberi duke u shprehur se “kjo ka ndezëur sinjalin e kuq në Beograd i cili po humbet pozitat së bashu me aleaton e madh, Rusinë, në Maqedoni”.
Edhe ish-diplomati Arsim Zekolli thotë se me ngërçin diplomatik Serbia përgënjeshtroi rolin e pretenduar si një faktor stabiliteti në rajon.
“Është Serbia fajtore e vetëvetes që me këmbëngulje refuzon çfarëdo ideje për anëtarësim në NATO, ndërsa mundësinë për anëtarësim në BE e komplikon me qasjen jokonstruktive ndaj Kosovës dhe tash së fundi edhe ndaj Maqedonisë. Maqedonia ka faktografi dhe shembuj konkretë për pzierje jodiplomatike dhe jimoqësore të Beogradit në punët e brendshme të Maqedonisë dhe ky veprim i Serbisë shikohet si ‘formula’ sulmi është mbrojtja më e mirë”, thekson analisti Zekolli.
Z. Ziberi mendon se Serbia do të ndryshojë qëndrimin dhe do të vazhdojë marrëdhëinet diplomatike me Maqedoninë, por më të ftohura dhe jo si me qeverinë e kaluar”
Ndërkohë që çështja e agjentit serb nuk është zënë më në gojë publikisht as nga Shkupi e as nga Beogradi zyrtar, si duket do të harrohet edhe gjesti i ngutur i qeverisë serbe, sipas analistëve në Beograd, të cilët thonë se megjithatë Serbia do të kthejë kokëulur personelin në ambasadën e saj në Shkup.
Këtu në Shkup, ndërkaq, analistët thonë se Serbia nuk është në gjendje t’u përshtatet dhe t’i pranojë realitetet e reja në rajon.
Facebook Forum