Lidhje

McCain: Administrata fshehu të vërtetën për Bengazin


Senatori republikan me peshë, John McCain, ish kandidat në zgjedhjet presidenciale të 2008 e ka karakterizuar si “komplot për fshehtësi” reagimin e parë të administratës Obama ndaj sulmit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë. Senatori McCain ka kërkuar ngritjen e një komisioni special për të hetuar veprimet e administratës pas sulmit të shtatorit që la të vrarë katër amerikanë, ndër të cilët edhe ambasadorin amerikan në Libi.

Polemikat vazhduan dje në Uashington, pak ditë pasi rrjeti ABC njoftoi se kishte shtënë në dorë mesazhe elektronike ku bëhej e qartë se Departamenti i Shtetit kishte redaktuar komentet e shërbimeve të zbulimit për të shmangur vëmendjen nga përfshirja e terroristëve në sulmin e Bengazit:

Në komentet për rrjetin ABC, senatori McCain tha se duket që ishin përpjekje për të fshehur të vërtetën, pasi kishte një ndërhyrje të qëllimtë për të eliminuar informata.

Zoti McCain vuri në dukje se sulmi u zhvillua ndërkohë që Presidenti Obama kishte filluar fushatën për t’u rizgjedhur, në një kohë kur adminstrata po trumpetonte suksese në luftën kundër terrorizmit, përfshirë vrasjen e Osama bin Ladenit.

“Në atë kohë ndodhi sulmi në Bengazi, për të cilin ka ende shumë pyetje që kërkojnë përgjigje”.

Senatori tha se Sekretarja e Shtetit në atë kohë, zonja Hillari Klinton duhet të ketë qenë në dieni të mënyrës si po e trajtonte administrata informacionin për incidentin. Ai kërkoi ngritjen e një komisioni special për të hetuar zhvillimet.

Po dje në komentet për rrjetin ABC, Senatori demokrat Jack Reed iu përgjigj pyetjes nëse mendonte se kishte pasur përpjekje për të mbuluar të vërtetën:

“Absolutisht jo. Kongresi ka zhvilluar deri tani 11 seanca me pyetje përgjigje mbi këtë temë. Mbi 25 mijë dokumenta i janë ofruar për shqyrtim Kongresit”.

Zoti Reed tha se ndryshimet që u ishin bërë informatave lidhur me Bengazin pasqyrojnë një reagim të natyrshëm për t’u treguar të matur, por jo një veprim të gabuar.

“Ata u përpoqën që në një situatë shumë kaotike të dilnin me komente publike të matura. Nuk donin ta tepronin. Së pari ka burime të shërbimeve të zbulimit që nuk donin t’i bënin publike. Së dyti, sapo kishte filluar një proces hetimor për këtë çështje”.

Të premten, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney iu kundërvu atyre që i cilësoi si përpjekje “për të akuzuar administratën se ka fshehur diçka” në këtë proces.
XS
SM
MD
LG