Lidhje

Historia e Murit të Berlinit


Më 9 nëntor mbushen 25 vjet nga rënia e Murit të Berlinit. Korrespondenti Andre de Neshnera bisedoi me historianin britanik Frederick Taylor, ekspert për Murin e Berlinit lidhur me shtjellën e ngjarjeve që i nxiti autoritetet e Gjermanisë Lindore të ngrinin këtë mur.

Në bazë të Marrëveshjes së Jaltës së vitit 1945, forcat aleate që fituan Luftën II Botërore e ndanë Gjermaninë në katër zona: atë amerikane, britanike, franceze dhe sovjetike.

Rreth 160 km brenda zonës sovjetike ndodhej kryeqyteti gjerman, Berlin. Qyteti ishte i ndarë në katër pjesë, të kontrolluara nga katër palët që kontrollonin Gjermaninë.

Me kalimin e viteve, filluan të shfaqen tensione mes sovjetikëve dhe aleatëve perëndimorë. Në 1949, zona perëndimore e Gjermanisë u shkëput nga autoritetet komuniste që kontrollonin Gjermaninë Lindore dhe kishin nën administrim zonën përreth Berlinit. Historiani Frederick Taylor shpjegon.

“Berlini, i cili ndodhej brenda zonës sovjetike, pak a shumë si Kali i Trojës, filloi të shihej sovjetikët dhe aleatët e tyre komunistë në Gjermani si një simbol i kapitalizmit dhe mënyrës perëndimore të jetesës në këtë mjedis shtypës që kishte krijuar Blloku Sovjetik”.

Historiani thotë se për këtë arsye u krijua një vijë kufitare mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore.

“Në fakt në vitin 1952 ekzistonin kufij të fortifikuar, pram und të të qëllonin nëse përpiqeshe të kaloje nga Lindja në Perëndim. Por në Berlin, për shkak të statusit të veçantë të qytetit si zonë e kontrolluar nga ushtria, edhe pas krijimit të dy shteteve gjermane, megjithëse ekzistonin pika të kontrollit kufitar, njerëzit mund të kalonin lehtësisht nga Lindja në Perëndim”.

Zoti Taylor thotë se nga viti 1949-1961, Gjermania Lindore humbi 2.5 milionë njerëz që largoheshin drejt Gjermanisë Perëndimore nga një popullatë prej 17 milionësh.

“Faktikisht qeveria gjermano-lindore dhe sovjetikët e kuptuan nga mesi i viteve 1950 se vendi po vuante nga një hemoragji vdekjeprurëse. Elementët më të aftë dhe më krijues po largoheshin drejt Perëndimit. Diçka duhej bërë”.

Historiani thotë se udhëheqja e Gjermanisë Lindore arriti në përfundimin se e vetmja mënyrë për të penguar eksodin drejt Perëndimit ishte ngritja e një barrier fizike që ndante Berlinin Lindor nga ai Perëndimor.

Zoti Taylor thotë se më 12 dhe 13 gusht 1961, tolelata me lëndë drusore, blloqe betoni dhe tel me gjemba u sollën në Berlinin Lindor.

“Fillimisht vendosën tel me gjemba për të bllokuar rrugë që kalonin nga Berlini Lindor në atë Perëndimor. Vendosën blloqe betoni dhe roje disa metra nga njëri-tjetri, të cilët ruanin punëtorët që po ngrinin barrierën. I gjithë procesi u realizua për 12 orë. Të dielën në mëngjes, më 13 gusht 1961, banorët u zgjuan dhe pane që ishte ngritur një barrier, e cila ende nuk kishte formën e murit, por ishte një gardh me tela me gjemba, që nuk lejonte kalimin e makinave për në anën tjetër”.

Zoti Taylor thotë se ngritja e gardhit ndau brenda një nate familje, lagje dhe miq në Berlin.

Historiani thotë se pas afro një jave u ngrit muri, në jug të Portës së Brandenburgut. Kur u përfundua, muri ishte 43 km i gjatë në Berlin dhe mbi 110 km kur kalonte përmes dy Gjermanive. U ngritën mbi 300 kulla vrojtimi, zona të minuara dhe u vendosën roje me armë.

Zoti Taylor përshkruan përjetimet e shumë gjermano-lindorëve.

“Ishte një tragjedi e madhe e kohës. Shkatërroi shpresa, shkaktoi fobi, zhgënjim, një ndjenjë mbytëse të humbjes së lirisë. Ata që s’e kanë përjetuar, e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë”.

Gjatë dekadave që pasuan, gjermano-lindorët vazhduan përpjekjet për të kaluar në Perëndim me metoda të ndryshme: disa kapërcenin murin, disa hapën tunele të nëndheshme. Shanset e suksesit ishin të vogla, por historian thotë se njerëzit ishin të gatshëm të bënin sakrifica maksimale për shpresën e një jete më të mirë përtej Murit të Berlinit.

XS
SM
MD
LG