Në Itali, interesat e bonove të thesarit me afat 10-vjeçar arritën në 7 për qind, një ditë pasi kryeministri Berluskoni njoftoi se do të japë dorëheqjen, pasi Parlamenti të miratojë reformat e domosdoshme ekonomike që synojnë stabilizimin e ekonomisë italiane. Kryeministri italian është nën presionin e udhëheqësve të Eurozonës që të sigurojë miratimin e reformave buxhetore me shkurtime në shpenzime për të shmangur një krizë financiare si ajo e Greqisë.
Partitë opozitare thanë sot se kërkojnë miratimin e shpejtë të reformave buxhetore, të cilat kryeministri italian Silvio Berluskoni ka premtuar se do t’i realizojë para se të japë dorëheqjen.
Parlamentari Elio Lanuti i Partisë Italia e Vlerave, thotë se në këtë kohë trazirash ekonomike, duhet zgjidhur sa më parë kriza politike:
“Me vazhdimin e krizës dhe ndërkohë që Italia vuan, shpresoj se do të gjejmë një qeveri që të na japë një masë kredibiliteti ndërkombëtar dhe të lejojë vendin të vërë në zbatim reformat, që nuk ka arritur t’i realizojë zoti Berluskoni”.
Kryeministri italian ka thënë se do të japë dorëheqjen, sapo parlamenti të miratojë reformat ekonomike të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Karriera publike 17 vjeçare e kryeministri Berluskoni është karakterizuar nga skandale e trazira politike.
Ai u shpreh dje se nuk sheh alternativë tjetër për vendin, përveç zgjedhjeve të parakohëshme:
“Dua t’i kërkoj opozitës në parlament t’i miratojë këto masa stabilizuese dhe pas miratimit të Ligjit të Stabilitetit që do të përmbushë kërkesat e Evropës dhe Eurozonës, do të jap dorëheqjen. Nuk është në dorën time të marr vendime që i takojnë kreut të shtetit, por i vetmi opsion që shoh janë zgjedhjet e reja”.
Largimi i Berluskonit nga skena politike ngre një numër pikëpyetjesh për të ardhmen e partisë së tij. Por shqetësimi kryesor mbetet suksesi i qeverisë së ardhshme, e cila do ta marrë pushtetin në një kohë që vendi vuan nën barrën e një borxhi prej 2.6 trilionë dollarësh.
Ndërkaq, normat e hua-marrjes për Italinë u rritën më tej sot, duke kaluar masën 7 për qind. Rritja e interesit në 7.36 për qind për bonot 10 vjeçare të thesarit është një ogur shqetësues për gjendjen financiare të ekonomisë së tretë të eurozonës.