Lidhje

OSBE, konferencë mbi rolin e ndërkombëtarëve në demokracinë shqiptare


Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë zhvilloi sot konferencën shkencore “Roli i ndërkombëtarëve gjatë tranzicionit në Shqipëri, ku morën fjalën studiues të njohur dhe ish drejtues të rëndësishëm të diplomacisë perëndimore.

Shqipëri: Konferencë për rolin e ndërkombëtarëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:34 0:00

Drejtuesi i OSBE-së, ambasador Bernd Boschardt theksoi në hapje që ndonëse Shqipëria ka ecur shumë përpara, ende mbeten sfida të mëdha.

“Zyrtarët thonë se ka përmirësim dhe përparim në horizont, por njerëzve u duket situata krejt ndryshe, se ata nuk i dëgjon njeri, sepse nuk ka një dialog real të elitave me popullin që përfaqësojnë” - tha ai.

Pikëpyetjet e konferencës dhe situatës jashtë, sipas zotit Boschard, janë nëse diplomatët në Shqipëri e krijojnë rolin e dukshëm rastësisht, apo shtyhen prej aktorëve vendas, nëse roli i fortë i ndërkombëtarëve është më së shumti si ndërmjetëues mbi përçarjet e theksuara ndërmjet partive politike në Shqipëri.

Ish-presidenti i Komisionit Europian dhe ish-kryeministri italian Romano Prodi solli kujtime nga vitet e trazuara të Shqipërisë si viti 1997, kur rrëzimi i skemave piramidale solli një valë të rëndë trazirash të dhunshme.

Zoti Prodi tha se është diçka të bëhen ligje të mira, por më e e rëndësishmja është që ato të zbatohen, sidomos kur vjen fjala për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sipas tij, Ballkani po ndjek të njëjtin skenar për t’u integruar në të ardhmen në Bashkimin Europian.

“Shqipëria duhet të tregojë një vullnet të fortë me reformën në sistemin e drejtësisë në luftën kundër kriminalitetit ndërkombëtar, i cili nuk ka të bëjë vetëm me Tiranën dhe është mjaft i përhapur në shumë vende europiane” - tha zoti Prodi.

Ai shtoi se Shqipëria aktualisht është në një periudhë të favorshme sa i takon mundësisë që të përparojë më tej në integrimet europiane.

Ndërsa dr.Elez Biberaj, drejtuesi i divizionit të “Zërit të Amerikës” për Europën dhe Azinë, theksoi që tranzicioni i Shqipërisë u shoqërua me sfida të shumta dhe demokracia e saj ka mjaft të meta.

  • Polarizimi i politikës shqiptare, paaftësia e udhëheqësve kryesorë për të gjetur mirëkuptim mbi çështjet madhore të vendit dhe mendësia e elitave për të kufizuar debatin e lirë politik, i dëmtuan përpjekjet për qeverisje të mirë dhe bazat institucionale të rendit të ri” – tha zoti Biberaj.

Sipas tij, Shqipëria e gjen sot veten në një udhëkryq kritik pritet të hyjë në bisedime për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Reforma aktuale në sistemin e drejtësisë po i jep Shqipërisë një mundësi për të riparuar dëmin e madh, që i është bërë imazhit të saj nga korrupsioni i gjithë-përhapur dhe krimi i organizuar. - tha zoti Biberaj - Qeverisja shqiptare është mbizotëruar nga marrëveshje gjysmë-demokratike, nga një sistem artificial kontrollesh e balancash, korrupsion i thellë, krim i organizuar dhe sfida madhore ekonomike dhe sociale”.

Ai tha që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mbeten fuqimisht të angazhuara për të dhënë mbështetje politike dhe ekonomike, që janë jetike për vendin, por përgjegjësia për përparimin demokratik të Shqipërisë i takon plotësisht udhëheqësve të saj politikë, sepse status quo-ja ka një çmim të lartë.

“Shqipëria - theksoi dr. Biberaj - ka nevojë urgjente për një frymë të re udhëheqje dhe për të kryer një transformin të vërtetë institucional, të reformojë sistemin e tanishëm mos-funksional të qeverisjes dhe të përmbysë kulturën e rrënjosur thellë të mos-ndëshkimit”.

Në konferencën e OSBE-së morën pjesë po ashtu edhe shumë studiues vendas e ndërkombëtarë, diplomatë dhe ish-funksionarë të Bashkimit Europian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG