Lidhje

Biden, javën e ardhshme në Azi


Nënpresidenti Joe Biden shkon në Kinë javën e ardhshme, në kuadër të një turneu rajonal, që përfshin ndalesa në Korenë e Jugut dhe Japoni. Ndërsa udhëtimi në Pekin pritej të përqëndrohej në çështje ekonomike dhe zona të tjera të bashkëpunimit dypalësh, analistët thonë se zona e re e mbrojtjes ajrore e Kinës në detin e Kinës Lindore, që ka shkaktuar shumë debate, ka të ngjarë të jetë një prej çështjeve kryesore të bisedimeve.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thonë se nënpresidenti Biden do të ngrejë çështjen e krijimit zonës së re të mbrojtjes ajrore nga Kina dhe do të kërkojë uljen e tensioneve, por nuk do të paraqesë ndonjë protestë diplomatike zyrtare ndaj vendimit të Pekinit.

Ata thonë se udhëtimi do të jetë një mundësi për të folur direkt me udhëheqësit e Kinës rreth vendimit të tyre, për të shprehur shqetësimin e Uashingtonit dhe për të kërkuar sqarime se pse e ndërmori një hap të tillë Pekini.

Jonathan Pollack, bashkëpunëtor shkencor në Institutin Brookings në Uashington, thotë se zhvillimet e fundit bëjnë që t’u kushtohet më pak kohë çështjeve të tjera. Ai thotë se zona e re e mbrojtjes ajrore e Kinës nuk do të diskutohet vetëm në Pekin, por edhe në Tokio dhe Seul.

“Nëse fillimisht misioni i zotit Biden në Azi pjesërisht ishte për të kuptuar më mirë politikat e fundit kineze, jam shumë i bindur se kjo çështje do të përfshihet në bisedimet dypalëshe në një mënyrë më direkte, diçka që nuk besoj se Kina do ta dëshironte”.

Fqinjët e Kinës kanë protestuar fuqishëm ndaj vendimit të Pekinit për të krijuar një zonë të re të mbrojtjes ajrore në Detin e Kinës Lindore, madje ushtria amerikane, japoneze dhe jugkoreane kanë bërë fluturime mbi këtë zonë pa njoftuar autoritetet kineze. Kina ka paralajmëruar se fluturimet që hyjnë në këtë zonë pa u identifikuar mund të përballen me përgjigje udhtarake.

Pekini nga ana e tij ka filluar patrullimin ajror të zonës. Si Japonia edhe Koreja e Jugut po shqyrtojnë mundësinë për të shtrirë zonat e mbrojtjes ajrore.

Analisti Pollack thotë se pas retorikës, shqetësimi i vërtetë është zbatimi nga ushtria kineze e zonës së krijuar.

“Pikërisht këtu hyhet në mundësinë reale për incidente dhe aksidente. Nuk mendoj se ndonjëra palë synon të angazhohet në konflikt, por gjërat ndodhin, veçanërisht kur forca ajrore si ato të Kinës, relativisht të reja në këtë lloj aktiviteti, kanë shumë pak përvojë praktike në kryerjen e ndonjë lloj operacioni të mundshëm”.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara filluan këtë vit përpjekje të reja për të ripërcaktuar marrëdhëniet si mes dy fuqive të rëndësishme. Gjatë vizitës së tij, nënpresidenti Biden do të përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet mes dy vendeve, pas shkëmbimeve jozyrtare që ndodhën në fillim të vitit mes Presidentit kinez, Xi Jinping dhe Presidentit Barack Obama në Kaliforni.

Jin Canrong, analist politik në Universitetin Renmin të Pekinit, thotë se ndërsa gjatë vizitës së zotit Biden ka të ngjarë të flitet rreth tensioneve të Kinës me fqinjët e saj si dhe mbi zonën e mbrojtjes ajrore, çështja më e rëndësishme do të jenë marrëdhëniet në përgjithësi mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara janë nervozë rreth mundësisë që Kina të përfshihet në konflikt me fqinjët e vet dhe me aleatët e Amerikës në rajon”.

Zoti Jin shton se ndërsa është e vështirë të thuhet se sa kohë do t’i kushtohet kësaj çështjeje, ai beson se fokusi kryesor i vizitës së nënpresidentit Biden do të vazhdojë të jetë përforcimi i marrëdhënive amerikano-kineze dhe përmirësimi i lidhjeve dypalëshe.
XS
SM
MD
LG