Lidhje

Nju Jork: Investime në bioteknologji


Qyteti i Nju Jorkut dhe shteti i Nju Jorkut po investojnë qindra miliona dollarë për zhvillimin e industirsë së teknologjisë së lartë. Ata kanë zhvilluar konceptin e inkubatorëve që është krijimi dhe mbështetja e hapësirave të punës për kopanitë e reja. Në shtetin e Nju Jorkut janë vënë në zbatim rreth 40 projekte inkubatorësh, një prej tyre në Harlem të qytetit të Nju Jorkut.

Harlem Biospace është inkubatori i parë i qytetit për inxhinierinë biomjekësore. Ai u jep afaristëve të rinj një variant me kosto relativisht të ulët për të zhvilluar idetë e tyre të biznesit. Një pagesë e ulët mujore u siguron atyre një hapësirë për zyrë dhe pajisje laboratorike. Ata paguajnë vetë për lëndën e parë.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyer. Është e lirë dhe ka pajisjet që neve na duhen. Unë porisit kimikatet që më duhen dhe këtu ata bëjnë eksperimetet e mia”.

Tyler Poore dhe partneri i tij po eksperimentojnë një prodhim që i zhduk bakteret për gjithmonë. Ai mund të përdoret në artikujt shtëpiakë, si sfungjeri, apo çdo gjë tjetër që duhet të jetë e pastër nga bakteret. Qëllimi është të gjenden zgjidhje për problemet biomjekësore.

Edwin Vazquez po përpiqet të zgjidhë enigmën e sëmundjeve si Alzheimers dhe Parkinson. Ai thotë se mendimet e të tjerëve që punojnë në këtë ndërtesë e bëjnë mjedisin e punës në Biospace edhe më të dobishëm.

“Është më mirë të jesh në një dhomë si kjo me më shumë njerëz përqark e të merresh me diçka kaq interesante, se sa të shkosh në kafeteri dhe të bisedosh me kolegët. Krejt pa pritur mëson se dikush njeh një studjues që bën diçka të ngjashme që i çon përpara kërkimet e tua dhe bie në kontakt me të dhe gjëra të reja ndodhin”.

Spitalet e mëdha dhe qendrat shkencore mbështesin novatorë si Kate Rochlin, themeluese e kompanisë Immunovent. Ajo ka zhvilluar një mjet të ri për diagnostikimin e alergjisë që përdoret në hundë ose në gojë, në vend të inxheksionit.

“Është po aq e saktë dhe ndoshta edhe më e saktë se sa testet e lëkurës apo gjakut. Prej një mostre të hundës ose gojës mund të analizosh 72 alergjenë”....Aanaliza e gjakut identifikoi alergjitë nga kikiriku vetëm në 50 përqind të rasteve, ndërsa ne arrijmë t’i zbulojmë në 99 përqind të rasteve. Pra, ne jemi shumë më të saktë. Kjo është me rëndësi, veçanërisht në rastet e alergjive të rrezikshme për jetën”.

600 mijë dollarë nga qyteti i Nju Jorkut hapën rrugën e këtij projekti. Sipas drejtorit ekzekutiv të Biospace, Matthew Owens, ka patur shënja të dukshme suksesi që nga nëntori i vitit të kaluar.

“Ne kemi kompani që kanë filluar prodhimin, po nxjerrin fitime dhe po furnizojnë klientët. Ky është një fakt që dëshmon suksesin”.

Qëllimi kryesor i një inkubatori është zhvillimi i një biznesi që mund të veprojë i pavarur dhe të bëhet financiarisht i suksesshëm. Harlem Biospace ofron pikërisht këtë mundësi me infrastrukturën e tij.
XS
SM
MD
LG