Lidhje

Biznesmenët, ekspertët diskutojnë rreth rritjes së çmimeve dhe kërkesës për naftë


Biznesmenët, ekspertët diskutojnë rreth rritjes së çmimeve dhe kërkesës për naftë
Biznesmenët, ekspertët diskutojnë rreth rritjes së çmimeve dhe kërkesës për naftë

Mbi 2 mijë përfaqësues botërorë të industrisë së naftës dhe gazit, akademikë dhe ekspertë janë mbledhur në Hjuston këtë javë në sesionit e 30-të të konferencës së përvitshme të sponsorizuar nga Shoqata Kërkimore për Energji “Kejmbrixh”.

Ndërkohë që janë rritur çmimet, pjesërisht si reagim ndaj trazirave në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, diskutimet janë përqëndruar në ruajtjen e furnizimit dhe zgjerimin e prodhimit, por edhe shmangien e aksidenteve si rrjedhja vitin e kaluar e naftës në Gjirin e Meksikës.

Diskutimet në konferencën e Shoqatës “Kejmbrixh” janë përqendruar në dy tema: shtrenjtimi i shpejtë i naftës së papërpunuar dhe nevoja për punë në mjedise gjithnjë e më të vështira për t’iu përgjigjur kërkesës botërore.

Rreziqet u bënë të qarta vitin e kaluar kur një platformë e drejtuar nga kompania BP në Gjirin e Meksikës shpërtheu dhe më pas rodhën gati pesë milionë fuçi nafte të papërpunuar në ujë.

Drejtori ekzekutiv i BP-së, Robert Dadli, u tha gazetarëve se kompania ka mësuar të menaxhojë rrezikun me më tepër kujdes.

“Ne kemi filluar t’u kushtojmë vëmendje skenarëve që kanë shumë pak gjasë të ndodhin por që do të paraqisnin rreziqe të larta, rreziqe që në të kaluarën nuk u kemi kushtuar vëmendje, por që tani na i kanë dhënë një prespektivë të re.”

Zoti Dadli thotë se BP tani është e përgatitur të përballet me ndonjë shpërthim të mundshëm, qoftë mbi tokë ose thellë nën ujë, kudo në botë.

“Nuk do të shpojmë nëse nuk jemi në gjendje t’i mbyllim puset –kemi pajisjet dhe njerëzit për ta bërë një gjë të tillë dhe kemi formuar një organizatë të reagimit emergjent.”

Zoti Dadli thotë se tërë industria e energjisë ka nevojë të zhvillojë masa të tilla të sigurisë, ndërkohë që sipërmarrjet punojnë në mjedise gjithnjë e më të rrezikshme si Arktiku.

Por shefi i BP-së theksoi gjithashtu nevojën për të prodhuar më shumë naftë në dy dekadat e ardhshme, ndërkohë që kërkesa botërore pritet të rritet me 40 përqind.

Çmimi aktual i naftës së papërpunuar është mbi 100 dollarë për fuçi, pjesërisht për shkak të trazirave në rajonin e Afrikës Veriore në Lindjen e Mesme, i cili prodhon 40 për qind të konsumit botëror.

Përfaqësuesit nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme thanë në konferencë se trazirat ka të ngjarë të vazhdojnë dhe mund të përhapen, por se është më e vështirë të vlerësohet ndikimi në prodhimin e naftës.

Kryetari i Shoqatës Kërkimore për Energji “Kejmbrixh”, thotë se Programi i Reagimit Emergjent i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë mund të merret me ndërprerje të rëndësishme afatshkurtra.

“Ne kemi një sistem funksional për situata emergjente të krijuar pas krizës së viteve ’70 për t’u përballur me ndërprerjet dhe për të mundësuar bashkërendimin dhe bashkëpunimin mes konsumatorëve në raste emergjente.”

Deri tani nuk ka patur asnjë mungesë nafte dhe Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) po shqyrton mundësinë e një takim të posaçëm për të diskutuar rreth rritje së prodhimit, në qoftë se bëhet e nevojshme.

Por edhe në qoftë se rivendoset stabiliteti në Libi dhe vende të tjera në atë zonë, kërkesa në rritje në vendet në zhvillim do t’u bëjnë trysni kompanive të energjisë për të gjetur dhe prodhuar më shumë naftë.

XS
SM
MD
LG