Lidhje

Bjellorusi, operacion ndëshkimor ndaj protestuesve


Forcat speciale të policisë në Bjellorusi filluan një operacion masiv kundër protestuesve që po përpiqeshin të zhvillonin një marshim në Minsk, organizim i cili ishte ndaluar nga autoritetet.

Rreth 700 persona u përpoqën të marshojnë në qendër të kryeqytetit, si pjesë e një vale protestash kundër qeverisë për vendosjen e një takse të re për punëtorët. Kamionë të mbushur me policë u zunë rrugën protestuesve dhe i sulmuan ata me shkopinj gome.

Me qindra njerëz u arrestuan. Një udhëheqës i të drejtave të njeriut tha se shumë prej tyre u keqtrajtuan nga policia dhe se kishin nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore.

Sipas dëshmitarëve, policia sulmoi edhe kalimtarë të rastit, ndërsa një gazetar i agjensisë së lajmeve “Reuters” tha se ishin arrestuar edhe të paktën 10 gazetarë.

Po sot, zyrtarë të grupit opozitar Vesna-96 thanë se policia bastisi zyrat e tyre në kryeqytet dhe ndaloi rreth 60 aktivistë. Më vonë u njoftua se ata ishin liruar, por nuk pati asnjë koment zyrtar për incidentin.

Që prej vitit 2015, Bjellorusia me një popullsi prej 9.4 milionë banorësh, është zhytur në reçension. Kundërshtarët e taksës së re thonë se po ndëshkohen nga e njëjta qeveri që dështoi të ulë nivelin e papunësisë.

Këtë javë, Presidenti autoritar bjellorus Aleksandr Lukashenko tha se dhjetëra militantë të trajnuar dhe të mbështetur nga Ukraina, Polonia dhe Lituania, që po planifikonin një “provokacion të armatosur”, ishin arrestuar në Minsk dhe qytete të tjera të ish-republikës sovjetike. Zoti Lukashenko nuk paraqiti prova për të mbështetur akuzat e tij apo detaje të mëtejshme për komplotin e aluduar.

XS
SM
MD
LG