Lidhje

Në mbrojtje të bletës


Rënia misterioze e numrit të bletëve ka detyruar bletarin Billy Davis të hidhet në veprim. Ai ka mbajtur bletë që në vitet 1960 dhe në vitin 2013 ai themeloi Programin për Mbrojtjen e Bletëve. Siç njofton korrespondentja Faiza Elmasry, organizata jo-fitimprurëse po punon për një bletë më rezistente dhe po u mëson bletarëve si të mbrojnë shoqëritë e bletëve.

Në një ditë të nxehtë vere, bletët janë në aktivitet të plotë. Bletët punëtore gumëxhijnë duke kryer një funksion jetik për prodhimin ushqimor.

“Të gjitha pemët që shihni këtu lindin nga një farë e vetme. Farat prodhohen nga lulet, pasi pllenohen nga bletët. Nëse s’kemi bletë, nuk do të kemi pemë, nuk do të kemi lule, nuk do të kemi fruta e perime ose 1/3 e ushqimeve që i nevojiten njeriut” thotë bletarja Brenda Kiessling.

Por më shumë se 1/3 e bletëve po zhduken. Sipas ekspertëve shkaktarë janë ndryshimet klimatike, parazitët, pesticidet dhe metodat bujqësore. Bletari nga Virxhinia Billy Davis është i vendosur të shpëtojë bletët.

“Ne jemi shpëtimi, jo kompanitë e pesticideve apo profesorët. Po bëhen shumë studime të rëndësishme, por mbrojtja e bletës është në dorën e bletarëve”.

Në rrëzë të Maleve Blue Ridge, organizata jo-fitimprurëse që drejton Billy Davis financon një program ku bletarët vijnë nga i gjithë shteti i Virxhinias për të mësuar dhe punuar vullnetarisht.

“Synimi përfundimtar është të kemi bletë që do të arrijnë të kujdesen për veten” thotë bletari Alex McLellan​.

Një nga kushtet kritike për mbijetesë është e ashtu-quajtura “sjellje higjenike”, aftësia e bletës për të zbuluar dhe eliminuar faktorët që infektojnë kosheren. Bletarët e analizojnë këtë aftësi duke përdorur nitrogjen të lëngshëm.

“Ngrijmë 100 fole në zgjojet e bletëve. Pas 24 orësh shohim se cilat nga këto fole janë rihapur nga bletët punëtore. Mbretëreshat që kanë një rezultat 95-100% në rihapjen e zgjojeve janë në gjendje të shkëlqyer,” thotë bletarja Brenda Kiessling.

Këto mbretëresha janë më rezistentet dhe përdoren për riprodhim dhe për furnizimin e bletarëve të tjerë me bletë të reja.​

“Sot po kontrollojmë zgjojet për të parë nëse mbretëresha ka vend të mjaftueshëm për vezët si dhe nëse ka vend për rezervat e dimrit,” thot​ë​ nj​ë​ vullnetar.

“Regjistrojmë çdo ndryshim në zgjoje. Këto të dhëna janë mbledhur prej një kohe të gjatë dhe na ndihmojnë të analizojmë gjenetikën dhe progresin e zgjojeve,” thotë bletari Alex McLellan.

Përgatitja e bletarëve të rinj është vetëm fillimi. Më pas vjen procesi i gjatë i zbatimit të përvojës që kanë marrë dhe shkëmbimit të kësaj përvoje me bletarë të tjerë në zonat e tyre.

XS
SM
MD
LG