Lidhje

Bletaria në Virxhinian Perëndimore sjell përfitime të shumëfishta


Bletaria, përfitime të shumëfishta në Virxhinian Perëndimore
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

Amerika e Veriut shënon Javën Kombëtare të Polenizimit (17-23 Qershor 2019) duke njohur rolin e pazëvendësueshëm që luajnë në botë speciet pjalmuese - bletët, zogjtë, fluturat, lakuriqët e natës dhe gjitarët e tjerë të vegjël. Ndër pjalmuesit më të rëndësishëm janë bletët, që pjalmojnë 30 për qind të kulturave të mbjella botërore dhe 90 për qind të bimëve në mbarë botën. Megjithatë, numri i bletëve është në rënie të vazhdueshme, duke kërcënuar ekosistemet e shëndetshme dhe ekonominë ushqimore në shkallë vendore dhe ndërkombëtare. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Julie Taboh ishte në rajonin jugor të Virxhinias Perëndimore, ku një nismë e re e bletarisë po siguron vende pune për punëtorët e zhvendosur, ndërkohë që ndihmon edhe në rritjen e popullsisë së bletëve në atë zonë.

James Scyphers në fakt nuk e ka profesion bletarinë

"Është e mahnitshme se si bletët i ndërtojnë hojet në mënyrë të përsosur dhe kaq shpejt...” - thotë ai.

Pas largimit nga ushtria, ai punoi në ndërtim, pastaj si minator në një minierë qymyri për 16 vjet.

Por, kur minierat u mbyllën dhe humbi punën, ai mori rolin e bletarit.

"Shumë herë nëntokë duhet punuar në ujë dhe në errësirë nganjëherë në kushte të mjerueshme. Por bletaria nuk është e tillë. Është një punë që më pëlqen. Më lejon të paguaj shumë nga faturat që kemi patur që nga e kaluara dhe tani jam në gjendje të ndihmoj nipërit, mbesat dhe familjen time", thotë ai.

James Scyphers e gjeti punën në bletari nëpërmjet kompanisë “Appalachian Beekeeping Collective”... një organizatë jofitimprurëse që mëson punëtorë të zhvendosur - dhe banorë të tjerë me të ardhura të pakta që duan të fitojnë të ardhura shtesë, – se si të bëhen bletarë.

Pas përfundimit të një programi falas prej pesë javësh, personave që duan të merren me apikulturë, u jepen bletë, koshere dhe të gjitha pajisjet e nevojshme për të filluar të rrisin bletë.

Eksperti i bletarisë Mark Lilly merret me trajnimin e personave që duan të rrisin bletë.

"Në punën time të mëparshme, kam udhëtuar në shumë nga këto zona dhe në 30 vitet e fundit kam parë se si bletët po zhduken ngadalë... Pra, nëse mund ta mësojmë një familje që të sigurojë ndoshta tre deri në 5 mijë dollarë të ardhura shtesë duke u marrë me apikuturë, kjo sjell një përmirësim të madh në stilin e jetesës", thotë ai.

Veterani Mike Davis ka zbuluar edhe shumë përfitime të tjera të bletarisë.

"Kjo punë më jep mundësinë të shoh me kënaqësi se si rritet diçka, siç është shtimi i hojeve. Por bletët të sjellin edhe qetësi shpirtërore, sikurse qentë...”, thotë ai.

Mike Davis thotë se këtu është vendi ideal për bletët…

"Kjo zonë e Virxhinias Perëndimore është kullota më e madhe në botë. Nuk kemi pesticide, apo insekticide, sepse këtu nuk kemi bujqësi komerciale. Pra, ne kemi pemët, kemi shumë ujë - kushtet këtu janë të shkëlqyera për bletët", thotë zoti Davis.

Dhe kjo përkthehet në mjaltin e shijshëm, i cili është produkti përfundimtar i nektarit që bletët marrin nga disa prej llojeve më të larmishme të bimëve dhe luleve unike.

Me syrin drejt së ardhmes, Firma “Appalachian Beekeeping Collective” ka në plan ta zgjerojë programin e vet, për të krijuar brezin e ardhshëm të bletarëve, në mënyrë që ata të mund ta ndihmojnë shtetin e Virxhinias Perëndimore të lulëzojë përsëri, kësaj herë në saje të një produkti më të qëndrueshëm mjedisor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG