Lidhje

"Blockchain", fjala e re që duhet të mësojnë përdoruesit e internetit


Në gjuhën angleze ka hyrë një fjalë e re, që të gjithë përdoruesit e internetit është mirë ta mësojnë, pasi mund të bëhet përcaktuese për të ardhmen e transaksioneve financiare globale. Kjo fjalë mund të mos jetë e përkthyeshme në shumë gjuhë të tjera, kështu që mund të bëhet një term ndërkombëtar, i ngjashëm me fjalët "kompjuter" apo "internet", që përdoret në të gjithë botën. Fjala është "blockchain".

Gjatë javës së parë të dhjetorit, tregjet financiare botërore u tronditën nga rritja e shpejtë e vlerës së monedhës virtuale më popullore - bitcoin, e cila u shfaq fillimisht në vitin 2009.

Shqetësimi me paratë elektronike si ‘bitcoin’ është se si çdo gjë tjetër në internet, njerëzit mendojnë se mund të hakerohet dhe vidhet.

Por mbështetësit thonë se kjo nuk është e mundur, falë bllokimit apo ‘blockchain’-it, teknologjisë së re, se si kompjuterat regjistrojnë transaksionet në mënyrë të decentralizuar.

“Është njësoj sikur unë të të jap një filxhan. Në momentin që ti e merr, ai është në dorën tënde dhe unë nuk e kam më. E njejta gjë mund të bëhet përmes internetit”, thotë Simon Schwerin, menaxher me kompaninë Xain.

Ndryshe nga një foto dixhitale, e cila mund të kopjohet dhe të ndahet në internet, blockchain-i mundëson që "filxhanin", ose çdo lloj objekti tjetër dixhital, ta ketë në pronësi vetëm një person në të njëjtën kohë.

Ndryshimi nga sistemi bankar tradicional është se të dhënat nuk janë në një kompjuter të vetëm qendror, që mund të hakerohet.

Kjo, për arsye se të gjithë kompjuterat në ‘blockchain’ regjistrojnë çdo transaksion, duke krijuar një sistem gjigant të decentralizuar.

“Në një sistem të decentralizuar, ne kemi mundësinë të rihartojmë plotësisht mënyrën se si krijojmë paranë, si e shpërndajmë, si e ndjekim dhe si e vlerësojmë” thotë Galia Benartzi, me fondacionin Bprotocol.

Përdorimi i ‘blockchain’-it megjithatë ka gjasa të shkojë përtej bitcoin-it dhe transaksioneve financiare.

“Blockchain-i mund të aplikohet në shumë, shumë gjëra të ndryshme. Mund të ndjekë hallkat e furnizimit, ose mund të gjurmojë çdo gjë në qytete. Kjo është teknologji revolucionare për të cilën njerëzit po flasin shumë për momentin”, thotë Mike Butcher, me revistën Techcrunch Europe.

Shumë analistë presin që koncepti ‘blockchain’ të luaj një rol të rëndësishëm në garantimin e privatësisë online, duke identifikuar mallrat e falsifikuara dhe të gjitha llojet e mbajtjes së të dhënave, në 5 apo 10 vitet e ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG