Lidhje

Gjyqi i Bo Xilait dhe korrupsioni në Kinë


Analistët thonë se gjyqi i ngjan më shumë një loje politike se sa një përpjekjeje të vërtetë për të luftuar korrupsionin

Kina po reklamon gjyqin e kësaj jave të politikanit të diskredituar, Bo Xilai si pjesë të fushatës së saj më të madhe kundër korrupsionit. Analistët politikë e shikojnë gjyqin krejt ndryshe. Ata thonë se megjithëse ky rast trajton disa shkelje, përgatitjet dhe publiciteti para gjyqit, duket se kanë qënë më shumë një lojë politike se sa një përpjekje e vërtetë për të luftuar korrupsionin në qarqet zyrtare.

Gjyqi i një prej politikanëve më popullorë dhe pompozë të Kinës, Bo Xilai, filloi të enjten në qytetin bregdetar të Kinës lindore Jinan. Ai do të mbahet larg qendrës kryesore të politikës, Pekinit, dhe larg zonës metropolitane Chongqing, ku ai gëzon mbështetje të madhe.

Media shtetërore thekson se gjyqi është pjesë e fushatës së Presidentit Xi Jinping kundër korrupsionit dhe tregon se askush nuk qëndron mbi ligjin.

Por analisti politik Hu Xingdou thotë se akuzat kundër ish politikanit Bo, nuk e vërtetojnë këtë.

“Rasti i Bo Xilait është shumë i komplikuar. Në të gjen elementë korrupsioni dhe elementë të luftës politike dhe luftës për pushtet. Gjyqi përqëndrohet krysisht në akuzat për korrupsion, por ka të ngjarë që ai të ketë kryer krime të tjera”.

Skandali politik për zotin Bo shpërtheu vitin e kaluar pas njoftimeve se gruaja e tij vrau një biznesmen britanik. Si gruaja e tij edhe ish shefi i policisë së qytetit Chongqing tashmë janë dënuar.

Kur zoti Bo u përjashtua nga partia, akuzat ndaj tij ishin më të shumta dhe më specifike.

Mes akuzave ishte edhe shpërdorimi i pushtetit dhe përpjekjet për të mbuluar vrasjen prej gruas së tij të biznesmenit, Neil Heywood. Thuhet gjithashtu se ai përdori pozitat e tij në qeveri dhe në Partinë Komuniste për t’u bërë favore të tjerëve. Sipas hetimeve, në këmbim, ai mori shuma të mëdha parash dhe pasurish në emër të pjesëtarëve të tjerë të familjes.

Por në korrik, kur prokurorët në Jinan njoftuan aktpadinë ndaj zotit Bo, vetëm 3 akuza të përgjithshme u përmendën: marrja e rryshfeteve, korrupsioni dhe abuzimi i pushtetit, shkelje që i kishte kryer gjatë kohës kur ishte kryetar i bashkisë së qytetit Dalian.

Nuk u dhanë hollësi dhe nuk u përmendën fare akuzat për mbulim të vrasjes që kreu gruaja e tij. Media ka njoftuar se rryshfetet e marra prej tij mund të kapin shumën e 4 milion dollarëve, por ka të ngjarë që kjo shifër të jetë shumë më e madhe.

Analisti politik Hu Xingdou thotë se zvogëlimi i shifrës së përfitimeve ndihmon që të mos ngrihen dyshime për Partinë Komuniste që do ta vinin atë në një pozitë të vështirë.

Nëse pranohet publikisht se ai ka morë rryshfete prej qindra miliona dollarësh, atëhere publiku do t’i shikonte me dyshim të gjithë udhëheqësit e tjerë.

Shumica e analistëve besojnë se zoti Bo ka të ngajrë të dënohet me 15 deri 20 vjet burg, dënim ky i ulët për akuzat e ngritura kundër tij. Willy Lam, professor i shkencave politike në Universitetin kinez të Hong Kongut, thotë se kjo situatë tregon se Presidenti kinez, Xi Jinping ka arritur një marrëveshje me fraksionet e partisë lidhur me gjyqin e zotit Bo. Zoti Lam thotë se ndërsa kompromisi tregon se zoti Xi ka aftësitë politike për të kontrolluar fraksionet në parti, kjo ka krijuar edhe dyshime rreth aftësisë së tij për të luftuar korrupsionin.

“Fakti që gjyqi i Bo Xilait është një ushtrim i marrëdhënieve shtetërore, që pasqyron një fasadë uniteti mes fraksioneve partiake është një reflektim shumë i dobët i aftësive udhëheqëse të presidentit Xi për të luftuar korrupsionin, i cili sipas të gjithëve është problemi më serioz në parti”.

Që kur erdhi në pushtet, zoti Xi ka folur shumë rreth luftës kundër korrupsionit, por deri tani vetëm pak zyrtarë të lartë janë ndjekur penalisht. Analistët thonë se nëse presidenti do ta luftonte me të vërtetë korrupsionin, ai mund të rrezikonte pushtetin e tij pasi udhëheqësit e tjerë mund të bashkoheshin kundër tij.

Analistët thonë se që zoti Xi të ketë sukses, ai duhet të bëjë më shumë për t’iu përgjigjur akuzave rreth privilegjeve të elitës politike të Kinës dhe të nxisë politika që ngushtojnë hendekun mes të pasurve dhe të varfërve. Ata thonë gjithashtu se presidenti kinez duhet të nxisë sundimin e ligjit, diçka që gjyqi i zotit Bo tregon se nuk do të ndodhë.
XS
SM
MD
LG