Lidhje

Zgjedhjet në Bosnje, presidenca treanëtarëshe përsëri e ndarë


Zgjedhjet në Bosnje, presidenca treanëtarëshe përsëri e ndarë
Zgjedhjet në Bosnje, presidenca treanëtarëshe përsëri e ndarë

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Bosnje, tregojnë se presidenca treanëtarëshe do të mbetet e ndarë përsa i përket çështjes nëse vendi duhet të forcojë unitetin etnik. Ndërkohë që janë numëruar më tepër se 70 përqind e votave, të moderuarit, të cilët favorizojnë bashkëpunimin me grupet e tjera etnike pritet të fitojnë vendet myslimane dhe kroate të presidencës ndërsa anëtari i tretë pritet të jetë për ndarjen e vendit.

Komisioni i zgjedhjeve në Bosnje njoftoi se anëtari kroat i presidencës Zhellko Komshiç u rizgjodh, ndërkohë që Bakir Izetbegoviç, i biri i ish udhëheqësit të Bosnjes Alija Izetbegoviç, ishte përpara në garë.

Nacionalisti serb, Nebojsha Radmanoviç ka një avantazh të vogël në përpjekjet për t’u rizgjedhur.

Zyrtarët thanë se pjesmarrja në votimet e djeshme ishte 56 përqind, krahasuar me 55 përqind në vitin 2006.

Zgjedhjet shihen si një ngjarje me rëndësi kritike për të thyer ngërçin politik që kërcënon aspiratat e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Sot, reagimet ishin të ndryshme pas shpalljes së rezultateve të pjesshme, të cilat tregonin se presidenca treanëtarëshe nuk do të ketë një mendim të përbashkët rreth së ardhmes së vendit.

"Do të dëshiroja të shihja një farë ndryshimi, jo vetëm për kandidatët por edhe për mirëqënien e vendit dhe të popullit. Do të shikojmë ç’do të ndodhë por gjëja më e rëndësishme është paqja dhe begatia," thotë një banore e Sarajevës.

Edhe pse kanë kaluar 15 vjet nga lufta etnike që mori shkas nga shpërbërja e ish Jugosllavisë dhe megjithëse pas luftës janë zhvilluar pesë zgjedhje, parashikohej se votat përsëri do të ndiqnin linjat etnike.

Nëse rezultatet përfundimtare nuk do të kenë ndryshim, udhëheqja kryesore e vendit do të vazhdojë të jetë e ndarë ashtu si para zgjedhjeve, çka i errëson perspektivat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, vëzhguesit ndërkombëtarë deklaruan sot se zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje ishin një sukses i mëtejshëm dhe u zhvilluan përgjithësisht në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës. Ata theksuan se në disa aspekte kryesore ka nevojë për ndërhyrje.

Bosnja është e ndarë në dy etnitete me nivel të lartë autonomie – njëri për serbët dhe tjetri për boshnjakët dhe kroatët. Dy rajonet janë të lidhur me një qeveri, parlament dhe presidencë qendrore.

XS
SM
MD
LG