Lidhje

25 vjet pas pluralizmit, arritje dhe zhgënjime


Në gusht 1990, disa muaj para se të vendosej pluralizmi në Shqipëri, një delegacion amerikan bëri vizitën e parë zyrtare në Shqipëri që nga viti 1946, drejtuar nga ish- Senatori demokrat Dennis DeConcini. Kjo vizitë ishte në kuadër të Komisionit të Helsinkit, ose të asaj që atëherë quhej KSBE, nga i cili regjimi komunist donte të merrte miratimin për t’u bërë pjesë e procesit të Helsinkit, duke shpresuar të menaxhonte ndryshimet dhe të mos humbte pushtetin. Përgjigjia ishte negative, pasi reformat ishin të pamjaftueshme, një mesazh i qartë, por vizita kishte një rëndësi të jashtëzakonshme sepse u pa si një rikthim i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Këshilltari politik i Komisionit të Helsinkit, Robert Hand ishte një nga organizatorët e vizitës. Ai shkoi në Shqipëri me delegacionin dhe u rikthye tetë herë të tjera në vend me delegacione Kongresi dhe për të vëzhguar zgjedhje në kuadër të OSBE-së. Gjatë 25 viteve, ai u njoh me protagonistët e politikës shqiptare, ndoqi zhvillimet në vend dhe u bë një nga njohësit dhe analistët më me peshë të zhvillimeve në vend. Në pjesën e dytë të një intervistë që zoti Hand i dha koleges Zërit të Amerikës me rastin e 25 vjetorit të vendosjes së pluralizmit, ai flet për shpresat që kishin Shtetet e Bashkuara dhe në ç’masë u realizuan ato, sukseset dhe zhgënjimet dhe thotë se megjithë përparimin e shënuar, Shqipëria duhet të kishte ecur përpara me ritme më të shpejta.

25 vjet pas pluralizmit, arritje dhe zhgënjime
please wait

No media source currently available

0:00 0:11:21 0:00

Zëri i Amerikës: Kanë kaluar 25 vjet dhe tani kemi avantazhin e kohës. Me siguri, siç po e thoni edhe ju në këtë intervistë, kishte shpresa dhe pritshmëri në lidhje me atë që do të bënin njerëzit dhe drejtimin që do të merrte vendi. Sa i gjerë është hendeku mes asaj që shpresonin Shtetet e Bashkuara dhe situatës ku është Shqipëria sot, sipas këndvështrimit tuaj?

Robert Hand: Është një pyetje shumë e vështirë. Mendoj se në atë kohë, meqë ne ishim të shqetësuar se si do të shkonte tranzicioni, i shihnim gjërat në këndvështrimin afatshkurtër, për ta futur Shqipërinë në rrugën e duhur. Dhe mendoj se përgjithësisht ne patëm sukses në atë përpjekje. Duke e parë më gjerë, nga mesi i viteve 1990 ne filluam të shihnnim se përpjekjet për reforma nuk do të ishin të lehta. Dhe pati një varg ngjarjesh, që nga referendumi për Kushtetutën, gjyqi për Omonian dhe të tjera veprime ku ne ndërhymë direkt dhe thamë “kjo nuk është pozitive, i bëjmë thirrje qeverisë që të bëjë këtë ose atë” që të përpiqeshim të bindim ata që ishin në pushtet në atë kohë, sot Partia Demokratike, që ta çonin vendin përpara në një drejtim pozitiv. Dhe ishte e vështirë do të thoja, ishte irrituese, sepse siç thashë më parë, kishte një mungesë të konceptuari se çfarë është në të vërtetë demokracia, por edhe duke pasur parasysh që nuk kishte kaluar shumë kohë nga një regjim komunist, ishte e dukshme se sa i polarizuar ishte bërë sistemi politik. Ne vazhduam të komunikonim. Por nga mesi i viteve 1990, na u krijua përshtypja se zëri unë nuk po dëgjohej aq sa më parë dhe kjo ishte disi zhgënjyese. Herë pas here ky lloj zhgënjimi vazhdon deri sot. Megjithatë në atë kohë, kishte një ndjesi se duke pasur parasysh se ku ishte Shqipëria, sa brutal kishte qenë regjimi komunist, duhet të ishim të duruar, nuk mund të prisnim që vendi të kishte një demokraci të qëndrueshme dhe të zhvilluar brenda natës. Do të thoja që gjatë dekadës së parë mund ta pranoja atë argument, por në dekadën e fundit ose edhe më gjatë se aq, nuk jam edhe aq i bindur dhe është më shumë çështja nëse ekziston vullneti për të ndërmarrë hapat e mëtejshme për të lëvizur drejt demokracisë. Nuk mundemi thjesht të kërkojmë falje për mungesën e demokracisë dhe t’ia vëmë fajin së kaluarës. Vjen një moment, gjërat duhet të ndryshojnë. Për të mirën e vendit, duhet ecur përpara dhe jo të vazhdojmë të justifikohemi. Ndoshta për këtë arsye kam filluar të shihem si kritik i gjendjes aktuale. Dhe besoj apo të paktën shpresoj që këto qëndrime i kam mbajtur pa pasur parasysh nëse ka qenë një qeveri socaliste apo demokratike në pushtet.

Mendoj se Shqipëria duhet të ishte më përpara nga ç’është, 25 vjet pasi u hap vendi.

Zëri i Amerikës: Do të doja të flisnim pak më konkretisht për përgjegjësitë e protagonistëve të politikës. Sipas mendimit tuaj, çfarë i bën njerëzit që udhëheqin një vend të veprojnë në një mënyrë të tillë që nuk e lejon vendin të ecë përpara me ritmin e duhur?

Robert Hand: Së pari, unë përmenda mungesën e të konceptuarit të demokracisë dhe ende druhem se kjo vazhdon të jetë e pranishme, në kuptimin që ekziston botëkuptimi që nëse ke shumicën e votave, mund të bësh ç’të duash dhe pala tjetër, duhet të mbyllë gojën. Demokracia nuk funksionon kështu. Duhet të përpiqesh të arrish konsensus me palën tjetër. Po ashtu duhet të flasësh më drejtpërdrejt me njerëzit dhe të kuptosh se cilat janë shqetësimet e tyre. Ata mund të kenë votuar për ty por ndoshta arsyeja është thjesht se kundërshtari yt është më i keq dhe jo sepse mbështesin atë që bën ti. Dhe kur je në pushtet ke përgjegjësinë t’u shërbesh këtyre njerëzve. Dhe nuk besoj se kjo është bërë mjaftueshëm në Shqipëri. Eksiston ideja që kush fiton, duhet të marrë të gjitha përfitimet dhe nuk mban edhe përgjegjësitë që vijnë me fitoren. Kjo është kombinuar mendoj me faktin që gjatë viteve, në Shqipëri – dhe e përforcuar në masë të konsiderueshme nga fakti që ishte pranë ish-Jugosllavisë, me shërbërjen dhe dhunën që ka ndodhur atje – krimi i organizuar, korrupsioni mes zyrtarëve ka qenë i pranishëm gjithnjë e më shumë, gjë që ndikon negativisht tek efektiviteti i qeverisë përsa i takon shërbimit ndaj njerëzve. Njerëzit janë mësuar që sapo merr një punë në qeveri, siguron gjithë ato përfitime e megjithatë nuk jam i sigurt që politikanët kanë arritur ta kuptojnë se cilat janë përgjegjësitë ndaj popullit si qeveritarë. Këtu e shoh problemin e vërtetë me Shqipërinë deri tani. Dhe e gjitha kjo është përforcuar edhe më shumë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, që do të thotë se nëse je në qeveri dhe je pjesë e atij sistemi, mund të përfitosh jashtë mase nga ky fakt. Dhe sigurisht kur populli voton që të mos jesh më në qeveri, kjo do të thotë që je i ekspozuar ndaj ndjekjes penale dhe kjo e bën më të vështirë kur mbahen zgjedhjet për këdo që është në pushtet që të ngrejë një sistem në lirë dhe të drejtë sepse si çështje praktike ata duan të qëndrojnë në pushtet për të mbrojtur veten. Dhe mendoj se kjo është intensifikuar me kalimin e viteve. Ajo që do të doja të shihja të ndodhte më shumë sot, është që nëse ka zyrtarë të përfshirë në praktika korruptive, praktika të paligjshme, nuk duhet të pritet derisa të ikin nga pushteti, që të lihet ana tjetër që të hakmerret ndaj tyre, duke i ndjekur penalisht etj. Duhet të ketë përgjegjësi nga udhëheqja që është në fuqi që të marrë masa për të kontrolluar ata që janë në radhët e saj dhe ta bëjë të qartë se një lloj i tillë qeverisjeje nuk është mënyra e duhur se si duhet të qeveriset Shqipëria dhe sigurisht që do ta pengojë integrimin në Bashkimin Evropian, mes të tjerash.

Zëri i Amerikës: Duket se në këtë frymë kanë qenë edhe disa nga fjalimet apo komentet të Ambasadorit aktual amerikan në Shqipëri, Donald Lu dhe kanë qenë veçanërisht specifike për ministra të korruptuar dhe deputetë me të kaluar kriminale. Si do t’i vendosni komentet e tij në kontekstin e asaj që kishin shpresuar Shtetet e Bashkuara që do të arrihej në Shqipëri dhe 25 viteve të fundit?

Robert Hand: Nuk do doja të flisja në emër të ambasadorit dhe nuk mendoj se kam nevojë ta bëj këtë duke pasur parasysh disa nga gjërat që ai ka thënë. Por mendoj se ajo që po shpreh ai me komentet e veta, është një reflektim i zhgënjimit për të cilin fola më lart që vendi nuk ka përparuar sa duhet. Një gjë që do të thoja për politikën amerikane ndaj Shqipërisë, është se është e vërtetë që ndonjëherë për shkak të personalitetit ne mund të jemi më afër një personi ose një tjetri por të paktën nga pikëpamja e Komisionit të Helsinkit, ne mbëshesim vendin si një i tërë, dhe institucionet demokratike dhe ne përpiqemi të mbajmë përgjegjës në veçanti këto që qëllon të jetë në pushtet për momentin. Mendoj se në këtë frymë duhet të shihen edhe komentet e zotit Lu. Ai po thotë: “Mjaft më kështu. Ky është një vend i mrekullueshëm që duhet të ecë përpara dhe në fakt mund të ishte shumë më përpara po të mos ishte korrupsioni dhe mungesës së vullnetit për të punuar së bashku për të mirën e përbashkët”. Dhe përsa i takon korrupsionit ai është në gjendje të përmendë emra konkretë dhe duke iu kthyer argumentit se secila palë duhet të mbajë para përgjegjësisë njerëzit e vet për veprimet e veta, kjo është diçka për të cilën mendoj se ai po bën thirrje. Prandaj unë e mbështes me forcë ambasadorin dhe mesazhet e tij dhe shpresoj që kjo të përkthehet në një politikë amerikane që mbështet vendin si një e tërë dhe jo të jenë miq me njërën palë ose tjetrën. Nëse ai po kritikon qeverinë ose zyrtarët e qeverisë aktualisht, nuk do të thotë se po mbështet opozitën, do të thotë se po mbështet Shqipërinë dhe mendoj se ai me sinqeritet mendoj se ai nga kjo niset dhe shpresoj që kështu të interpretohet edhe në vetë Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Meqenëse ka një farë pesimizmi lidhur me atë që mund të kishte arritur Shqipëria, desha ta vendos gjendjen në kontekstin e asaj që kanë kaluar vende të tjera me tranzicione të vështira. A kemi të drejtë të themi që meqenëse Shqipëria erdhi nga rrethana shumë më të vështira se vende të tjera, edhe tranzicioni është më i vështirë?

Robert Hand: Mendoj se disa nga vendet përparuar vërtet me shumë shpejtësi, i konsoliduan demokracinë dhe institucionet dhe për to nuk ka kthim prapa. Ka të tjera ku kemi parë hapa prapa, të tjera që menduam se kishin ecur më përpara nga ç’kishin ecur në fakt. Dhe ne i kritikojmë ato që ecin në drejtimin e gabuar. Për mua të paktën, mënyra se si e shoh unë është se si është prirja. Nuk bëhet fjalë për gjendjen ku je për momentin, por për ku je drejtuar. Pakënaqësia që kam me Shqipërinë është jo se ku është tani sepse nëse e krahasoj me 1990-ën është një ndryshim i jashtëzakonshëm dhe nëse kam parasysh edhe disa nga ngjarjet e viteve të hershme – fundin e viteve 1990, 1997-a, kur gjërat u përmbysën, pati probleme – por vendi i kapërceu ato dhe pati edhe disa përparime të mëtejshme. Pra pakënaqësia ime nuk është edhe aq se ku ndodhet sot Shqipëria, sepse është një vend thellësisht i ndryshëm nga ai që pashë unë për herë të parë, por ka të bëjë më shumë me faktin që do të doja që prirja të ishte më qartë dhe më me shpejtësi në një drejtim pozitiv nga sa është tani. Por do të thoja, në një frymë pozitive falë ndryshimeve që janë realizuar dhe që vendi është anëtare e NATO-s dhe unë e mbështeta anëtarësimin, edhe me disa probleme dhe tensione politike vitet e fundit, analistët kanë thënë se nuk ka arsye për t’u penduar për anëtarësimin sepse ndihmoi për të kapërcyer më mirë disa nga krizat sesa mund t’i kishte kapërcyer ndryshe. Ne nuk mund ta dime se si do të kishte qenë në rrethana të ndryshme por unë do të thoja që Shqipëria nuk do të kthehet pas dhe shqetësimi im kryesor është se sa shpejt do të vazhdojë të ecë përpara.

XS
SM
MD
LG