Lidhje

Tiranë: Gjyqi për dëmtim të parkut kombëtar të Valbonës


Shoqata për Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare “Toka” zhvilloi sot një tubim proteste kundër ndërtimit të hidrocentraleve në parkun kombëtar të Valbonës.

Në gjykatë padia kundër hidrocentraleve mbi Valbonë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:38 0:00

Protesta u zhvillua para Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, i cili sipas tyre, duhet të kishte ndaluar ndaluar punimet e hidrocentraleve mbi lumin Valbona qysh në muajin maj.

Aktivisti i njohur i mjedisit, prof. Lavdosh Ferunaj, tha se “kompanisë i ka mbaruar 5 muaj më parë leja për ndërtim, e cila bie në kundërshtim me ligjin për zonat e mbrojtura, por IKMT, nuk ka ndërhyrë dhe në Valbonë mjedisi po shkatërrohet me shpejtësi falë shpërthimeve me dinamit dhe gërmimit të dy tuneleve për hidrocentral”.

Më herët gjykata administrative zhvilloi sot seancën e fundit gjyqësore lidhur me padinë që shoqata “Toka” dhe 27 banorë nga Margegaj e Tropojës ngritën kundër ministrisë së energjisë, ministrisë së mjedisit dhe turizmit, Këshillit Kombëtar të Territorit, kundër Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, kundër Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe kundër Këshillit të Basenit ujëmbledhës.

Ata i kërkuan gjykatës të shpallë pavlefshmërinë absolute të kontratës së koncensionit për ndërtimin e dy hidrocentraleve “Dragobia” të lidhur në vitin 2009 nga ministria e energjisë dhe firmës “Gener 2”, si dhe një grup urdhërash, vendimet, shtesash dhe lejesh që janë dhënë në 7 vitet e fundit.

Por avokatja Mine Progonati, përfaqësuese në proces e shoqërive “Dragobia Energji” dhe “Gener 2”, i kërkoi gjykatës që kërkesa e banorëve të rrëzohej si e pabazuar në ligj dhe as në prova.

Ajo bëri një histori të gjatë të vendimeve, urdhërave dhe lejeve mjedisore qysh nga viti 2007 dhe deri sot, kur në 10 vjet hapat ligjore janë hedhur me kujdes për të qenë të saktë me çdo ndryshim ligjor, me çdo ndryshim institucionesh apo ngritje institucionesh të reja. Të gjitha këshillat dhe institucionet e kësaj fushe, qoftë mjedisore edhe energjie, i kanë konfirmuar të lejet dhe projektet e shoqërisë ndërtuese.

Avokatja Progonati tha se banorëve dhe shoqatës “Toka” iu mungon legjitimiteti si paditës, nuk përmbushin kushtet ligjore për të hapur një proces në gjykatën administrative edhe sepse shoqata është krijuar shumë kohë më vonë pasi janë marrë lejet për hidrocentralet.

Sipas saj, lejet dhe vendimet respektojnë të drejtën për zhvillim në zonat e mbrojtura, që rrjedh nga ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Gjykata administrative pritet ta shpallë vendimin përfundimtar pas 5 ditësh ndërsa banorët paditës dolën nga gjyqi me shpresë se zëri i tyre do të dëgjohet nga drejtësia dhe Parku Kombëtar Valbona do të shpëtohet.

“Jemi plot shpresë se do të fitojmë dhe nuk do të dorëzohemi kurrë. Ne e dimë se ato punime janë krejt të kundërligjshme, sepse në asnjë vend të botës nuk lejohet të ndërtohet hidrocentral në një park natyror kombëtar. Atje po ndodh një shkatërrim i madh dhe duam ta frenojmë” - tha Catherine Bohne, banore e zonës dhe përfaqësuese e shoqatës “Toka”.

Protestat në mbrojtje të Valbonës kanë nisur prej një kohe të gjatë, sapo aty u shfaqën makineritë e para për gërmim tunelesh dhe përgatitje betoni.

Ata pohojnë se deri në atë cast asnjë prej tyre nuk u informua për letrat dhe kontratat që firmoseshin në kryeqytet.

Shoqëria civile dhe banorët kanë zhvilluar disa herë protesta me thirrjen “Mos ma prek Valbonën”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG