Lidhje

Bolton: interesat kombëtare të Amerikës, prioritet madhor i Presidentit Trump


Në një intervistë eksluzive për Zërin e Amerikës dhënë gazetares Greta Van Susteren, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Donald Trump, John Bolton, tha se për të sjellë paqen në Gadishullin Korean duhet një “ç’armatim bërthamor i plotë, i verifikueshëm dhe i pakthyeshëm”. Zoti Bolton gjithashtu u shpreh se Iranit do t’i duhet “të përballet me një zgjedhje tepër të vështirë” nëse përpiqet të vazhdojë zbatimin e marrëveshjes bërthamore pa SHBA-në, ndërkohë që po rivendosen sanksionet amerikane. Ndër zonat ku Rusia po shtrin influencën e saj, zoti Bolton përmend edhe Evropën Qendrore dhe Lindore.

Në intervistën dhënë gazetares Greta Van Susteren, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Donald Trump, John Bolton, i tha Zërit të Amerikës se në dallim nga presidentë të mëparshëm amerikanë, Presidenti Trump po përballet me sfida të shumta të trashëguara, si Irani, Koreja e Veriut dhe Lindja e Mesme, ndërsa po përpiqet të rikthejë besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara.

Intervistë me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:59 0:00

Gazetarja Van Susteren vuri në dukje se tashmë po trajtohen çështje të cilat historikisht nuk patën gjetur zgjidhje nga disa presidentë amerikanë, si Koreja e Veriut, apo premtime që nuk i patën përmbushur dot, si vendosja e ambasadës amerikane në Jeruzalem.

“Kjo i shton besueshmërinë Shteteve të Bashkuara dhe në veçanti Presidentit amerikan. Pra, kur Presidenti Trump, ashtu si të gjithë kandidatët e tjerë për president, thotë se synon të vendosë ambasadën amerikane në Jeruzalem, ai po e vë në jetë”, thotë zoti Bolton.

Zoti Bolton mendon se vendosmëria e treguar nuk ka thjesht ndikim tek situata në Izrael, por u jep mesazhin të gjithë udhëheqësve botërorë se, kur Presidenti amerikan thotë se p.sh. do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin, ai e përmbush zotimin. Ai u pyet për qëndrimin e administratës amerikane për një ndryshim të regjimit në Iran.

“Ky nuk është objektiv i administratës. Objektivi është që mos t’i lejojmë as t’u afrohen armëve bërthamore. Mendoj se ndërsa do të fillojnë të humbasin të mirat ekonomike që Obama i akordoi Iranit, atëherë ata mund të thonë, ashtu si koreanoveriorët, se nuk mund të përballojmë një kosto të tillë për armët bërthamore”, thotë zoti Bolton.

Zoti Bolton mendon madje se qëndrimi ndaj Iranit, forcon pozitat e Shteteve të Bashkuara edhe në negocimet me Korenë e Veriut, por ai shton se Presidenti Trump do të ketë mundësinë ta shikojë në sy Kim Jong Un-in dhe të vendosë nëse ai është serioz.

“...Do të shtrojmë për bisedime edhe çështjen e armëve kimike dhe biologjike; do të bisedojmë për raketat e tyre, për shtetasit japoneze dhe koreanojugorë që ata kanë rrëmbyer. Arritëm të marrim tre shtetasit tanë – një lajm i mirë ky. Pra, do të parashtrohet gjithçka. Nëse regjimi koreanoverior merr vendim strategjik që të braktisë biznesin e armëve të shkatërrimit në masë, atëherë do të kemi një shans të vërtetë për progres”, thotë zoti Bolton.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare mendon se këto mundësi të reja janë krijuar prej politikës së presionit maksimal të Presidentit Donald Trump dhe nuk do të ishte arritur gjë nëse do të ishin ndjekur politikat e administratave të mëparshme amerikane. Ndërsa flet për rrezikun rus, zoti Bolton mendon se Presidentit Trump nuk i është njohur sa duhet merita për vendosjen e sanksioneve të forta ndaj Rusisë.

“...Veprimet e Presidentit kundër Rusisë kanë qenë tepër të forta dhe mendoj se rusët e kanë ndjerë këtë gjë. Ata tashmë po përpiqen të zgjerojnë ndikimin e tyre në Ukrainë, në vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore, në Siri dhe në Lindjen e Mesme. Pra, axhenda po bëhet shumë e ngjeshur për sa i përket Rusisë. Mendoj se ata nuk i kanë pritur disa nga hapat që ne kemi ndërmarrë. Mendoj se Presidenti Trump ka provuar qartësisht se ai nuk është Barack Obama, dhe se nuk është si asnjë nga paraardhësit e tij të tjerë”, tha zoti Bolton.

Zoti Bolton tha se anshmëria e mediave në pasqyrimin e administratës Trump është më e theksuar se ndaj adminstratave të mëparshme amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG