Lidhje

Marshim në përkujtim të Srebrenicës


Mijëra vetë marshuan së bashku me të mbijetuar të masakrës së Srebrenicës të vitit 1995 në rrugën që përshkuan refugjatët për t’u shpëtuar forcave serbe përmes kodrave të Bosnjes lindore. Të shtunën, me 11 korrik bëhen 20 vjet që nga masakra e Srebrenicës ku u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem, më e rënda në Evropë që pas Holokaustit.

Resid Dervisevic ishte 35 vjeç kur iu desh të largohej me të vëllain nga Srebrenica, kur u sulmua nga forcat serbe më 11 korrik 1995. Gjatë ditëve të marshimit nëpër kodra, ata u shkëputën nga njëri-tjetri dhe Dervisevic ishte në gjendje të arrinte në territor të kontrolluar nga ushtria boshnjake. Eshtrat e vëllai të tij u gjendën në një varr masiv në zonën e Kamenicës.

“Çdo gjë që ndodhi këtu ishte rezultat i një projekti, asgjë nuk ka ndodhur pa një arsye. Projekti ishte krijimi i Serbisë së Madhe por ata nuk arritën ta realizonin. Unë dua t’u dërgoj një mesazh të gjitha vendeve që të dënojnë gjenocidin, pavarësisht se ku ndodh dhe cili komb është viktima e tij, në mënyrë që të mos vazhdojë të ndodhë më”.

13 vjeçarja Lejla Jusic ka lindur shtatë vjet pas masakrës, por e ndjeu të nevojshme që të merrte pjesë në marshim së bashku me të atin dhe vëllain.

“Doja të merrja pjesë, që ta përjetoja këtë ndjesi me zemër dhe shpirt dhe të nderoj viktimat”.

Charles Wilcox, ka ardhur nga Virginia për të marrë pjesë në marshim së bashku me të shoqen.

“Nuk bëhet fjalë thjesht për Srebrenicën, por për mënyrën sesi njerëzit trajtojnë njëri-tjetrin. Ky është vetëm një nga vendet ku ka ndodhur genocidi. Duhet të mos i harrojmë kurrë këto tragjedi të tmerrshme, që të marrim masat e duhura që të sigurohemi që të mos ndodhin më në të ardhmen”.

Masakra ndaj burrave dhe djemve myslimanë u ndërmor pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll enklavën e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.

Rreth 15 mijë burra dhe djem arritën të dilnin nga Srebrenica dhe u arratisën përmes pyjeve, por shumë të tjerë ishin pre e lehtë për ushtrinë serbe që hapi zjarr ndaj tyre, u vuri pritë ose i mashtroi të dorëzoheshin duke u veshur me uniformat e ushtarëve të OKB-së.

XS
SM
MD
LG