Lidhje

Boston: Fillon gjyqi ndaj Dzhokhar Tsarnaev


Avokatja mbrojtëse e të akuzuarit për shpërthimin në Maratonën e Bostonit, Dzhokar Tsaenav tha sot para trupit gjykues se klienti i tij kishte ndihmuar në realizimin e sulmit vdekjeprurës të 2013, por shtoi se vëllai i madh ishte ideatori i planit.

Avokatja, një ndër juristet më me përvojë në raste që mund të marrin dënimin me vdekje, tha sot në ditën e parë të gjykimit se pala mbrojtëse nuk do të përpiqet t’i largohet barrës së fajit që mban Dzhokar Tsarnaev.

Por ajo argumentoi se ai u ndikua thellësisht nga i vëllai i madh, Tamerlan, në pjesëmarrjen në sulm, i cili sipas avokates u organizua si hakmarrje për luftrat amerikane në vendet myslimane.

Dzhokar Tsarnaev vrau pa dashje të vëllain, duke e shkelur me makinë, kur po përpiqej t’i shpëtonte policisë disa ditë pasi dy vëllezërit me origjinë nga Çeçenia u identifikuan si të dyshuar për shpërthimet.

Tsarnaev, tani 21 vjeç nuk ka pranuar fajësinë për 30 akuza të ngritura ndaj tij që lidhen me shpërthimin e dy bombave në vijën e finishit të maratonës në prill të vitit 2013.

Në këtë shpërthim u vranë tre persona dhe u plagosën mbi 260 të tjerë. Përveç viktimave në maratonë u vra edhe një polic i Institutit të Masaçusetsit për Teknologjinë, i cili gjeti vdekjen në një shkëmbim me armë me të dyshuarit disa ditë pas maratonës.

XS
SM
MD
LG