Lidhje

Shpëtimi i viktimave të maratonës së Bostonit


Në minutat e sotme të rubrikës së përjavshme Mjekësi dhe Shkencë do të ndalemi në efektshmërinë e spitaleve në qytetin verilindor të Bostonit, pas shpërthimeve në vijën e finishit në maratonën vjetore të këtij qyteti. Shpërthimet shkaktuan 3 të vrarë dhe më shumë se 170 të plagosur, por shumë analistë thonë se numri i viktimave mund të ishte shumë më i madh nëse shpërthimet do të kishin ndodhur në një qytet tjetër. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti, spitalet shumë të mira të Bostonit dhe para planifikimi janë aspektet që bënë të mundur shpëtimin e shumë jetëve nga shpërthimet e së hënës.

Kur viktimat u çuan me barrela në Departamentin e Emergjencave të Qendrës Mjeksore Tufts, ata përjetuan këtë pamje .... personeli mjeksor gati për t’u dhënë atyre ndihmën e shpejtë. Dr. Brien Barnewolt është drejtor i Departamentit të Emergjencave.

“Ne kishim një ekip të menaxhimit të situata emergjente gati për t’u hedhur në veprim, para se të ndodhnin shpërthimet”.

Dhe kjo sepse Qendra Tufts është gati për maratonën e së hënës çdo vit. Madje kjo qendër është e famshme në gjithë botën. Ajo është e certifikuar të përballojë plagosjet më të rënda. Kjo qendër traumash ndodhet vetëm 2 minuta larg vendit të shpërthimeve. Në fakt, 6 spitale të njohura në gjithë botën, ku u kuruan viktimat e shpërthimeve, ndodhen brenda një rrezeje prej 3.5 kilometrash nga vija e finishit të Maratonës. Dhe kur bëhet fjalë për trauma, koha është faktori kryesor i shpëtimit të jetës.

“Fakti që ne kemi spitale të mjaftueshme për të kuruar menjëherë pacientët pa dyshim që shpëtoi jetë njerëzish. Nuk kam asnjë dyshim rreth kësaj, madje jam i sigurtë se ky fakt ndihmoi edhe në shpëtimin e gjymtyrëve të pacientëve”.

Ekziston edhe një arsye tjetër. Shumë spitale të Bostonit ofrojnë trajnime në raste traumash. Kjo është qendra e ekspertizës klinike dhe simulimeve në Fakultetin e Mjeksisë në Universitetin Tufts.

Studentët e këtij fakulteti dhe ekipet e traumave të spitalit trejnohen këtu.
Zëri i Amerikës është stacioni i parë televiziv që lejohet në këtë qendër që prej hapjes së saj para 4 vjetësh.

Pacienti është një maniken i telekomanduar, që qan dhe picëron sytë. Ekipi mjeksor duhet ta diagnostikojë dhe ta kurojë këtë pacient. Kjo është një pasqyrë e dyfishtës, ku ekipi shikon çdo gjë, vetë puna e ekipit kontrollohet dhe pacienti bëhet të flasë.

“Ne zhvillojmë trajnime dhe kur mendojmë se kemi perfeksionuar çdo gjë, ne bëjmë trajnime të tjera”.

Dr. Horacio Hojman thotë se kjo mënyrë shton efikasitetin.

“Kur pacientët mbërrijnë këtu, çdo gjë funksionon si sahat. Askush nuk flet, ne nuk kemi nevojë të flasim, por vetëm të veprojmë”.

Anëtarët e ekipit e dinë fare mirë se ku duhet të qëndrojnë, cili është hapi i tyre i ardhshëm dhe të gjithë këta faktorë ndihmojnë pacientin. Pikërisht siç ndodhi të hënën, kur i gjithë ky ekip punonte tek pavjoni i urgjencës.

“Ishte e vështira të mos mendoje rreth incidentit, por në situata të tilla ne i përvishemi punës”.

Programi i simulimit nuk përfshin një skenar të viktimës së plagosur nga një shpërthim bombe, por pas tragjedisë në vijën e finishit, kjo mund të shtohet.
XS
SM
MD
LG