Lidhje

BP, manovër e re për bllokimin e rrjedhjes së naftës në Gjirin e Meksikës


Gjiganti i energjisë, BP tha se po përpiqet të vendosë një kupolë të vogël mbi pusin e naftës nën det nga i cili vazhdon rrjedhja e pakontrolluar. Manovra për bllokimin e rrjedhjes synon të ndalë ndotjen e cila po kërcënon ekonominë dhe mjedisin e disa shteteve amerikane në Gjirin e Meksikës. Rrjedhja u shkaktua nga shpërthimi pak javë më parë i një platforme nafte në det.

Zyrtarët e kompanisë BP thonë se shpresojnë ta vendosin kupolën mbi rrjedhjen e nënujshme deri sonte në mbrëmje. Por ata shtojnë se nuk ka garanci se ky plan do të funksionojë.

Kompania BP ka thënë gjithashtu se po shikon mundësinë për të futur një tubacion në vendin nga ku rrjedh nafta, sasia e të cilës matet me mijra fuçi në ditë.

Zyrtarët e emergjencës thonë se më shumë se 526 anije po marrin pjesë në përpjekjet për frenimin e rrjedhjes dhe janë vendosur 14 baza për operacionet e mbrojtjes së vijës bregdetare në shtetet jugore Luiziana, Misisipi, Alabama dhe Florida.

Si tubacioni ashtu edhe kupola janë projektuar ta dërgojnë naftën që rrjedh në një anije çisternë mbi sipërfaqen e ujit. Kupola është më e vogël se sa kutia metalike që u provua pa sukses javën e kaluar dhe që kishte lartësinë e një ndërtese 4 katëshe.

Dje, kompania BP publikoi videon e vendit nga rrjedh nafta në pjesën e thyer të tubacionit nën det. Rrjedhja i ka kushtuar deri tani kompanisë qindra miliona dollarë.

"Mund t’ju them se sasia e naftës që rrjedh thuajse nuk ka ndryshuar,” thotë Dag Satëlls, shef i operacioneve të kompanisë BP.

Rrjedhja filloi pas shpërthimit të një platforme shpimi më 20 prill përballë brigjeve të Luizianës. Platforma u zhyt në det pas dy ditësh dhe nga aksidenti gjetën vdekjen 11 punëtorë.

Dje, disa ligjvënës të Kongresit amerikan që po hetojnë aksidentin, thanë se sistemet e sigurisë të njërit prej puseve kishin patur probleme.

XS
SM
MD
LG