Lidhje

Dënimi i ushtarit Bradley Manning


Ai u dënua me 35 vjet burgim, nën akuzat për veprimtari spiunazhi

Një gjykatë ushtarake dënoi ushtarin amerikan Bradley Manning me 35 vjet burgim nën akuzat për spiunazh. Ai i pati dhënë 750 mijë dokumente sekrete faqes Wikileaks, që shihet si rasti më serioz i nxjerrjes së dokumenteve sekrete në historinë e Shteteve të Bashkuara.


Pas tre vjetësh burg, ushtari dhe ish-analisti 25-vjeçar i zbulimit u paraqit para gjyqit ushtarak për të dëgjuar dënimin: 35 vjet burg për spiunazh.

Ky dënim është shumë më i lehtë se 90 vjetët e dënimit që ai mund të kishte marrë për nxjerrjen e qindra mijëra dosjeve, përfshirë telegramet diplomatike të Departamentit të Shtetit, raportet nga lufta dhe videot si ajo që paraqet trupat amerikane duke qëlluar me armë ndaj civilëve në Bagdad.

Manning thotë se ai e bëri këtë për të treguar se lufta dhe veprimet e Shteteve të Bashkuara jashtë vendit ishin të gabuara. Qeveria amerikane e ka cilësuar atë tradhtar.

Në fund, dëshmitë treguan se akti i zbulimit të sekretit nuk shkaktoi vdekje, apo dëme të tjera për forcat amerikane.

Koloneli në pension i forcës ajrore amerikane Morris Davis, ish kryeprokuror në burgun e Guantanamos, dëshmoi në emër të ushtarit Badley Manning.


“Gjëja më e keqe që ka bërë Manning është se e vuri vendin e tij në një situatë të turpshme.”

Duke u konsultuar me themeluesin e Wikileaks Julian Assange, Manning u vu në kërkim të materialeve sekrete ndërsa shërbente në Irak.

Disa nga dokumentet e publikuara nga Wikileaks, u gjetën në kompleksin e Osama Bin Ladenit në Pakistan.

Megjithatë, gjykatësi e liroi Manning nga akuza më e rëndë, ajo e ndihmës për armikun.

Në fazën e shqyrtimit të dënimit, Manning u lut që t’i jepej një dënim më i lehtë, si dhe rasti për të ndrequr jetën e tij.

Ai tha se kishte patur synimin për të bërë mirë dhe shprehu keqardhje që i ka shkaktuar dëm Shteteteve të Bashkuara.

Gjyqi ushtarak po ashtu ngriti pikëpyetje lidhur me çështjen përse ushtria amerikane e vuri ushtarin Manning në pozitë delikate, pasi dëshmia zbuloi se ai kishte patur probleme të mëdha emocionale, përfshirë atë që një psikiatër ushtarak e përshkroi si çrregullim të identitetit gjinor, diagnozë për të cilën ai nuk është kuruar kur ishte në Irak. Manning i dërgoi shefit të tij një foto, ku ai ka vënë paruke dhe ka bërë tualet, të shoqëruar me një e-mail, ku shkruante se çështja e identitetit gjinor që ai kishte, po i shkaktonte dhimbje dhe probleme në karrierën e tij.


Tommy Sears është kryetar i Qendrës për Gatishmërinë Ushtarake, që e ka kritikuar vendimin e vitit 2011 për anulimin e vendimit të ndalimit të homoseksualëve në ushtri. Ai mendon se zbulimi i sekreteve nuk do të kishte ndodhur, në se Manning do të kishte marrë ndihmë për problemet e tij emocionale.


"Sigurisht, që duhen studjuar me kujdes rastet e njerëzve që kanë probleme psikologjike, ose që ai vetë i ka raportuar tek shefi i tij dhe nuk është bërë asgjë që do ta parandonte atë të kryente veprime të gabuara.”

Dënimi për Bradley Manning është më i lehtë se ç'mund të kishte qenë por përkrahësit e tij mendojnë se është tepër i rëndë për një të ri, të cilin ata e quajnë hero.


Manning do të bëjë më pak se 35 vjet dënim, ngaqë atij i njihen tre vjetët që ka kryer deri tani në burg.

XS
SM
MD
LG