Lidhje

Presidenti brazilian hedh poshtë akuzat për korrupsion


Presidenti i Brazilit Michel Temer i cilësoi si "telenovelë" akuzat për korrupsion kundër tij.

Prokurori i përgjithshëm Rodrigo Janot ka akuzuar zyrtarisht presidentin se ka pranuar një ryshfet prej 150 mijë dollarësh nga ish drejtuesi i një kompanie gjigante për paketimin e mishit.

Por presidenti Temer akuzoi Prokurorin e Përgjithshëm për "hakmarrje”.

"Ku janë dëshmitë konkrete që këto para janë marrë? Ato nuk ekzistojnë. Në fakt, kur shikoj akuzën, vërej se ata kanë rishpikur kodin penal”, tha presidenti Temer.

Prokurori i përgjithshëm po heton gjithashtu presidentin Temer për krime të tjera të dyshuara, përfshirë pengimin e drejtësisë. Në sipërfaqe ka dalë edhe një regjistrim, në të cilin pretendohet se dëgjohet zëri i presidentit Temer, duke i dhënë para ish kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve i cili ndodhet në burg për korrupsion.

I takon Dhomës së Deputetëve, dhoma e ulët e kongresit brazilian, të vendosë nëse do të pezullojë nga detyra presidentin Temer në mënyrë që ndaj tij të nisë gjykimi mbi akuzat për rryshfet. Por për këtë kërkohet miratimi i dy të tretës së ligjvënësve.

Michel Temer mori detyrën e presidentit vitin e kaluar pasi ish presidentja Dilma Rousseff shkarkua dhe u dënua për thyerje të rregullave të buxhetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG