Lidhje

Papa Françesku fillon një vizitë në Brazil


Papa Françesku mbërriti për një vizitë njëjavore në Brazil, vendi më i madh në botë me popullsi katolike, i cili javët e fundit është përfshirë nga një valë protestash anti-qeveritare. Mijëra policë dhe ushtarë janë mobilizuar për sigurinë gjatë vizitës së Papës.

Mbi një milionë të rinj katolikë pritet të shkojnë në Rio de Zhaneiro për të parë Papën e ri. Itinerari i tij përfshin takime me udhëheqës lokalë dhe kombëtarë dhe ngjarje të lidhura me festimet e Ditës Botërore të Rinisë të enjten.

“Është një moment i veçantë për kishën, për botën, sidomos botën katolike, kur takohemi për t’u lutur, për të forcuar besimin, për të ushqyer ndjenjën e shpresës dhe bamirësisë”.

Rreth 10 mijë policë dhe mbi 14 mijë ushtarë do të jenë në detyrë gjatë vizitës së Papa Françeskut, një sfidë e madhe sigurie për autoritetet braziliane. Duke folur para gazetarëve javën e kaluar, personi përgjegjës për përpjekjet e sigurisë ngriti një shqetësim madhor për sigurinë e Papës.

“Sigurisht fakti që ai nuk po vjen me makinë anti-plumb na shqetëson. Do të kisha preferuar që të vinte me automjetin e posaçëm anti-plumb”.


Programi i Atit të Shenjtë përfshin një takim me të rinj në një burg të Rios dhe një vizitë në lagjet e varfra të qytetit ku para disa muajsh policia dhe ushtria braziliane spastruan trafikantët e drogës. Ai do të inaugurojë gjithashtu një pavion të spitalit të Rios për kurimin e të droguarve dhe do të lutet në një vend të shenjtë kushtuar Zonjës së Aparecidës, shenjtorja mbrojtëse e Brazilit.

Ish kardinali argjentinas Jorge Bergoglio që u bë papë këtë vit do të pritet nga presidentja braziliane Dilma Rouseff.

Vizita e tij vjen në një moment turbullirash sociale në Brazil që filloi me protestat në qershor kundër rritjes së çmimit të biletave të autobusit në Sao Paolo. Këto demonstrata u kthyen në protesta masive kundër shpezimeve qeveritare për Kampionatin Botëror të Futbollit dhe pastaj u zgjeruan duke u kthyer në protesta kundër korrupsionit të zyrtarëve.
XS
SM
MD
LG