Lidhje

Brazil, qeveria premton reforma politike


Presidentja Rousseff, qeveria do të mbajë një referendum për reforma të gjera politike; vendi do t'i japë përparësi luftës kundër korrupsionit

Pas më shumë se një jave protestash në mbarë vendin, Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff premtoi reforma politike.

Protestat morën shkas nga rritja e çmimeve të transportit publik por ato u përqëndruan në çështje më të mëdha si taksat e larta dhe korrupsioni i përhapur.

Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff tha se qeveria e saj do të mbajë një referendum për reforma të gjera politike. Ajo premtoi gjithashtu se vendi do t'i japë përparësi luftës kundër korrupsionit.


"Në këtë pikë, unë do të doja të propozoja një debat për një referendum popullor, i cili do të lejonte realizimin e reformave politike që i duhen vendit. Brazili është gati të ecë përpara dhe nuk dëshiron të qëndrojë në vend. Ne duhet t'i japim përparësi luftës kundër korrupsionit, edhe më shumë se deri tani."

Zonja Rousseff shpalli gjithashtu një plan për të shpenzuar 23 miliardë dollarë për transportin publik, për investimet në arsim dhe shëndetësi dhe për luftën kundër korrupsionit politik.

Presidentja u takua dje në Brazilia me guvernatorët e shteteve, kryetarët e bashkive dhe udhëheqësit e protestës, duke përfshirë grupin aktivist për transportin falas, i cili arriti t'i detyrojë autoritetet në disa qytete të anulojnë rritjen e çmimeve të transportit publik.

Vala e protestave mori shkas nga rritja e biletave të autobusëve dhe metrosë, por protestuesit u përqendruan tek ajo që ata e quajnë neglizhencë e qeverisë për shërbimet publike, taksat e larta dhe korrupsioni i shfrenuar.

Protestat kanë gjithashtu si objektiv miliarda dollarët që po shpenzohen për Lojrat Verore të 2016s, Botërorin 2014 dhe Kupën e Konfederatave të këtij muaji.

XS
SM
MD
LG