Lidhje

Brazil - 10 të vdekur, 300 të zhdukur pas rënies së digës


shtëpitë e shkatërruara në Brazil nga rrëzimi i digës

Ministria e Mjedisit e Brazilit e ka gjobitur kompaninë minerare “Vales” me 66 milionë dollarë pasi një digë shkaktoi një rrëshqitje që vrau të paktën 10 njerëz dhe la qindra të zhdukur.

Rënia e digës të premten dërgoi një përrua balte mbi një komunitet aty pranë. Zyrtarët thonë se afërsisht 300 vetë janë bllokuar në zonat e përmbytura nga lumi i llumit të lëshuar nga diga pranë qytetit Brumadinho, në shtetin juglindor të Minas Gerais.

Operacionet e shpëtimit vazhdojnë, por guvernatori i shtetit, Romeu Zema, tha të shtunën në mëngjes se ka pak shanse për gjetjen e njerëzve të gjallë.

Ministria e mjedisit e ka gjobitur kompaninë “Vales” dhe ajo është nën shqyrtim për shkeljet rregullatore dhe ndotjen në prag të katastrofës.

Zyrtarët e zjarrit thonë se midis të zhdukurve janë 200 punonjës që kishin ngrënë drekë në zonën administrative të digës kur ndodhi rënia.

Pamjet televizive treguan punonjës të shpëtimit në helikopterë duke u përpjekur të ndihmonin njerëzit e bllokuar në baltën e trashë. Pamjet treguan dëmtime edhe tek shtëpitë, automjetet dhe hapësira të mëdha të tokës bujqësore.

Autoritetet kanë urdhëruar familjet që të evakuojnë shtëpitë në zona të ulta.

Aksidenti risjell në kujtesë një katastrofë të ngjashme të vitit 2015, kur një digë tjetër e minierave shpërtheu në të njëjtin shtet të Minas Gerais, duke vrarë 19 vetë. Kjo digë ishte administruar gjithashtu nga “Vale”, së bashku me kompaninë australiane të minierave “BHP Billiton”. Rënia e digës në vitin 2015 lëshoi miliona tonë mbetje hekuri toksike përgjatë qindra kilometrave, duke shkaktuar atë që konsiderohet fatkeqësia mjedisore më e keqe ndonjëherë në Brazil.

XS
SM
MD
LG