Zëri i Amerikës: Zoti Bregasi! Ju drejtoni organizatën “Biznes Albania”, që bashkon bizneset shqiptare. Cili është vlerësimi i qarqeve të biznesit për projekt-buxhetin e shtetit 2012?
Luan Bregasi: Në këndvështrimin tonë si sipërmarrës, mendojmë se projekt-buxheti i vitit 2012 bën përpjekje për të respektuar realitetin ekonomik në të cilin gjendet Shqipëria dhe për të zbutur impaktin që po jep dhe që do të japë më shumë vitin tjetër kriza ekonomike rajonale dhe sidomos ajo e eurozonës.
Megjithatë, ne mendojmë se gjithmonë ka vend për të bërë diçka më mirë. Ajo që bie në sy menjëherë, për mendimin tonë, është se zëri i investimeve u reduktua shumë, krahasuar me vitin 2010 dhe 2011. Kjo ka ardhur për shkak të krizës ekonomike, por ne mendojmë që kriza duhet të mos ndikojë tek investimet, por të ndikojë tek reduktimi i shpenzimeve. Pra, qeveria duhet të shikojë me laps të mprehur mirë se cilat janë shpenzimet që duhet të reduktohen me qëllim që këtë situatë të mos e kalojë në kurriz të investimeve. Në momentet e krizave, siç është edhe në Shqipëri, investitori kryesor është dhe duhet të jetë shteti. Ai e mban gjallë ekonominë nëpërmjet projekteve, investimeve, sipërmarrjeve.
Zëri i Amerikës: Zoti Bregasi! Cilat do të ishin disa nga vërejtjet kryesore të komunitetit të biznesit, dhe çfarë do të donit ju të ishte parashikuar më saktë në këtë projekt-buxhet?
Luan Bregasi: Ne mendojmë që buxheti ka një zë të rëndësishëm, që duhet respektuar; kthimi i detyrimeve që shteti i ka biznesit për vitin 2011. Llogaritet afërsisht që kjo është në nivelin e 60-70 milionë eurove. Këto para biznesi i ka marrë nëpër banka me interesa të larta, është kredituar nga bankat për kontratat që ka realizuar me shtetin, pra, shtojini edhe 10-20 për qind më shumë dhe shkon rreth 100 milionë euro. Është një shifër shumë e madhe.
Po kështu, ne mendojmë se për të ulur efektin e krizës ekonomike, duhet që shteti të parashikojë më mirë përballimin e krizës energjitike, e cila mesa duket, po troket në Shqipëri, sigurisht për shkaqe natyrore. Në rast se kësaj situate të vështirë ekonomike i shtohet edhe mungesa e energjisë elektrike, pasojat do të ishin katastrofale.
Në një aspekt më të gjerë, nevojitet edhe stabiliteti politik i vendit. Shohim se është hapur drita jeshile e një pakti midis dy grupimeve më të mëdha politike në shumicë dhe në opozitë. Ne besojmë dhe shpresojmë më shumë që kjo do të japë efekte pozitive në ekonomi, në rast se serioziteti i të dy palëve është në nivelin që kërkon sipërmarrja private.
Zëri i Amerikës: Zoti Bregasi, cili është mendimi juaj lidhur me kërkesën e institucioneve financiare ndërkombëtare për të ulur nivelin e borxhit?
Luan Bregasi: Koncepti i sipërmarrjes është që një borxh nuk shlyhet me një borxh tjetër. Kreditë e marra kthehen në investime, në vende të reja pune, në punë dhe në prodhim. Ky është efekti zinxhir i ekonomisë. Unë sipërmarrës nuk mendoj që shteti nuk duhet të kreditohet. Edhe biznesi privat kreditohet, edhe shteti duhet të kreditohet, sepse edhe shteti është sipërmarrës. Raportet e kredive me GDP-në e vendit shteti duhet t’i respektojë me kujdes, me qëllim që të mos ndodhë siç ndodhi ne Greqi dhe në Itali, ku niveli i borxheve tejkaloi disa herë GDP-në dhe i futi këto vende në kolaps të thellë ekonomik. Shteti duhet të kreditohet në raportet që e lejon ekonomia kombëtare vendase.
Nga ana tjetër, një zë shumë i rëndësishëm është edhe minimizimi i korrupsionit. Korrupsioni ka vlerë jo të ulët, ndonëse është një kosto e pallogaritur. Në tenderat që zhvillohen, duhet të rritet konkurrenca e garave, me qëllim që projektet të vinë në nivelin e vlerave reale të këtyre investimeve, dhe jo në vlera më të larta në kurriz të kostove dhe të kredive, nga vjen edhe menaxhimi i keq i kredive që merr një shtet.
Zëri i Amerikës: Cilat janë vështirësitë kryesore që ndeshin bizneset shqiptare dhe sfidat për vitin e ardhshëm?
Luan Bregasi: Vështirësitë janë shumë të mëdha. Biznesi ndihet realisht në vështirësi së pari për shkak të uljes së kërkesës për produktet e vendit dhe ato të importit. Sepse edhe importet kanë rënë. Së dyti, ndihen në vështirësi për shkak të mungesës së cash-it në treg, rënies së remitancave, për shkak të krizës rajonale, për shkak të kthimit të emigrantëve në vend dhe kërkimit të punës. Së treti, ndihet në vështirësi për shkak të interesit të lartë të kredive bankare; jemi i vetmi vend që i kemi interesat bankare 10-11 për qind, kur në vendet e rajonit dhe në vendet e Bashkimit Europian është 4-5 për qind, ose 6 për qind maksimumi. Edhe këto janë kosto. Megjithatë, biznesi është duke u përpjekur, së bashku edhe me operatorë të tjerë, që ta kalojë këtë krizë e kosto sa më të pakta.
Duhet vlerësuar që, në mentalitetin e sipërmarrjes shqiptare, asnjëherë krizat nuk janë shkarkuar tek njerëzit e thjeshtë. Nuk hiqen njerëz nga puna, nuk ulen pagat, apo pagesa të tjera. Biznesi shqiptar e ka kaluar vitin 2011 edhe duke tretur pak dhjamin e vet, por mendoj që viti 2012 do të jetë një vit më i vështirë, prandaj duhet që shteti të bëjë maksimumin që kjo krizë të japë efekte sa më të vogla.