Lidhje

Heqja e certifikatës së sigurisë të ish-drejtorit të CIA-s


Çertifikata e sigurisë e ish-drejtorit të CIA-s, u pezullua dje nga Presidenti Donald Trump, i cili u shpreh se John Brennan ka mbjellë “përçarje dhe kaos” për administratën e tij. Zoti Brennan e pati quajtur “asgjë më pak se tradhëti” shfaqjen e Presidentit Trump në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin rus Vladimir Putin.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, lexoi një deklaratë të Presidentit, duke vënë në dukje se zotit Brennan i ishte lënë çertifikata e sigurisë në mënyrë që të mund të këshillonte pasardhësit e tij, si dhe në formën e një kortezie profesionale.

“Asnjë argument nuk mbështet vazhdimësinë e qasjes së zotit Brennan tek informacioni i klasifikuar. Çdo përfitim që mund të kenë zyrtarët e lartë të administratës nga konsultimet me zotin Brennan, tashmë errësohen nga rreziqet e sjelljes së tij të parregullt. Kjo sjellje e tij ka testuar dhe ka tejkaluar të gjithë kufijtë e kortezisë profesionale që mund t’i takonte”, lexoi deklaratën e Presidentit Trump zonja Sanders.

Zoti Brennan e quajti pjesëmarrjen e Presidentit Trump në një konferencë të përbashkët shtypi në Finlandë me Presidentin rus Vladimir Putin “asgjë më pak se tradhëti”.

Zoti Brennan, u shpreh në Twitter, se masa e marrë nga Presidenti Trump është një përpjekje “për të shtypur fjalën e lirë dhe për të ndëshkuar kritikët”, dhe se kjo “duhet të shqetësojë së tepërmi të gjithë amerikanët, përfshirë profesionistët e shërbimeve të zbulimit, për koston e të shprehurit të mendimit”.

Senatori demokrat John Warner, një ndër anëtarët kryesorë të Komisionit të Senatit për Zbulimin, tha se kjo masë sjell në kujtesë ish-Presidentin Richard Nixon.

“Veçimi i njerëzve që do t’u hiqen çertifikatat e sigurisë më kujton ndëshkimet e Nixonit që përpiqej t’u mbyllte gojën çdokujt që kritikonte presidentin”, tha Senatori Warner.

Senatori republikan Rand Paul tha për zotin Brennan se “sjellja e tij në qeveri dhe jashtë saj, dëshmon pse ai nuk duhet të lejohet të ketë qasje në informacionin e klasifikuar”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG