Lidhje

Parlamenti britanik pa alternativa ndaj planit të qeverisë për Brexitin


Parlamenti britanik, refuzoi të mërkurën mbrëma të gjitha alternativat e propozuara kundrejt planit dy herë të refuzuar të qeverisë për largimin nga Bashkimi Evropian, duke e bërë të ardhmen e Brexitit me të pasigurt se kurrë.

Dhoma e ultë e parlamentit mori kontrollin mbi Brexitin nga kryeministrja Theresa May, e cila dështoi të sigurojë miratimin e marrëveshjes.

Ligjvënësit filluan debatin të mërkurën me 16 plane të ndryshme, të cilat më pas u shkurtuan në tetë syresh që u hodhën për votim. Të gjithë u refuzuan.

John Bercow
John Bercow

Në mesin e alternativave të refuzuara ishte edhe propozimi që Britania të mbetej në një bashkim doganor me Bashkimin Evropian dhe një që kërkonte një referendum të ri lidhur me largimin nga BE-ja.

Bashkimi Evropian ka rënë dakord ta shtyjë datën e shkëputjes duke i dhënë afat qeverisë së zonjës May deri më 12 prill, për të qartësuar planet e saj, ose të largohet pa një marrëveshje, gjë që do të mund të çonte në kaos ekonomik.

Sekretari britanik për Brexitin, Stephen Barclay, tha se fakti që tetë propozime të ndryshme dështuan, janë një shenjë tjetër se plani i zonjës May “është mundësia më e mirë”.

Stephen Barclay
Stephen Barclay

Kryeministrja May, tha të mërkurën se do të jepte dorëheqje “më herët sesa kam synuar”, nëse ligjvënësit do të miratonin planin e saj të negociuar me Bashkimin Evropian.

"E di se ka dëshirë për një qasje të re dhe udhëheqje të re në fazën e dytë të negociatave për Brexitin dhe nuk do të pengoja një gjë të tillë”, tha ajo.

Britanikët votuan gati tre vjet më parë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Zonja May shpreson të hedh sërish për votim planin e saj pavarësisht dështimeve të mëhershme për të siguruar shumicën.

Anëtarët e Partisë Konservatore të saj që janë në favor të Brexitit, i bënë thirrje për dorëheqje, por deri të mërkurën ajo kishte rezistuar.

Theresa May
Theresa May

"Është ndjenja ime e përgjegjësisë dhe detyrës që nënkupton se duhet të vazhdoj të punojë për të siguruar që Brexiti do të ndodhë”, tha ajo.

Udhëheqësi i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, pretendon se zonja May ishte “e pa zonja të bëj kompromis dhe e pa zonja të ribashkojë vendin”. Ai tha se zonja May “ose duhet të dëgjojë dhe të ndryshojë qasjen, ose të shkojë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG