Lidhje

Britania me paralajmërim të fortë për Oxfam-in


Zëvendës shefja ekzekutive e Oxfam-it, Penny Lawrence, ka dhënë dorëheqjen lidhur me dështimin e organizatës, siç u shpreh ajo, për të reaguar si duhet ndaj njoftimeve për shkelje nga personeli i kësaj shoqate në Haiti dhe Çad. Skandali u bë i njohur javën e kaluar nga një artikull në gazetën Times. Sipas zonjës Lawrence, problemet që u vërejtën në Haiti ishin ngritur në organizatë edhe më parë, gjatë operacioneve në Çad. Drejtori i organizatës për Haitin, kishte shërbyer më parë edhe në Çad dhe në të dyja vendet është angazhuar në aktivitet të ndaluar duke frekuentuar prostituta. Zonja Lawrence tha se para se drejtori të emërohej në krye të misionit në Haiti, kishin dalë në pah problemet e sjelljes prej tij dhe stafit të tij në Çad, por organizata nuk kishte marrë masa. Qeveria britanike ka paralajmëruar shoqatat humanitare se do të anulojë fondet që u jep këtyre organizatave nëse nuk kanë në zbatim një sistem funksional për të parandaluar dhe hetuar abuzime seksuale nga punonjësit e tyre.

Britania e bëri paralajmërimin dje, pasi u bë e ditur se Oxfam, një nga organizatat më të mëdha në vend, nuk kishte bërë publike pushimin nga puna në 2011 të punonjësve në poste të larta që kishin frekuentuar prostituta në Haiti, disa prej të cilave mund të kenë qenë në moshë të mitur. Shoqata kishte operacione humanitare në Haiti pas tërmetit shkatërrimtar të 2010-s që la mbi 200 mijë të vdekur dhe plagosi rreth 300 mijë të tjerë. Afro 1.5 milionë haitianë mbetën pa strehë.

“Është tronditëse. Nuk kanë rëndësi rregulloret shumë të mira që mund të ketë në letër, nëse organizata nuk udhëhiqet moralisht nga njerëzit e duhur, sidomos kur ka dëshmi se janë bërë shkelje penale, nëse nuk ia kalojnë informacionin autoriteteve përkatëse që të merren masa, përfshirë edhe ndjekje penale. Kjo dëshmon një mungesë të plotë në udhëheqje,” shprehet Sekretarja britanike për Zhvillimin Ndërkombëtar, Penny Mordaunt.

Oxfam-i nuk i kishte përcjellë hollësitë e plota mbi hetimet Komisionit për Shoqatat Bamirëse në Britani, një institucion që mbikqyr veprimtaritë humanitare. Kritikët thonë se hetimet kanë dëshmuar se punonjës të organizatës kanë ushtruar pushtet mbi individë në nevojë dhe në rrethana të dëshpëruara.

Oxfam nuk kishte informuar as qeverinë haitiane. Tani ambasadori haitian në Londër do që agjencia të kërkojë publikisht falje.

“Është e qartë se ishte tentativë e qëllimtë për të mbuluar shkeljet. Fakti që këta njerëz u lejuan të largohen nga Haiti pa u ndëshkuar, pa informuar autoritetet përkatëse haitiane, tregon se qëllimi ishte të fshihej problemi. Tani që është zbuluar që ka pasur shkelje të tilla dhe përpjekje për t’i mbuluar lind pyetja sa raste të tilla kanë ndodhur në Haiti,” pyet ambasadori i Haitit në Londër, Bocchit Edmond.

Katër zyrtarë u pushuan dhe tre të tjerëve iu dha mundësia për të dhënë dorëheqjen, ndër ta edhe drejtori i Oxfam-it për Haitin. Por ata morën nga Oxfam-i referenca për punësim me organizata të tjera.

Shefi ekzekutiv i Oxfam-it, Mark Goldring thotë se është një moment i turpshëm për organizatën, por hedh poshtë akuzat se ka pasur përpjekje për ta mbuluar skandalin.

Në 2017, Oxfam-i mori 45 milionë dollarë nga qeveria britanike, si dhe mbi 200 milionë dollarë donacione nga vetë populli britanik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG