Lidhje

Avionët britanikë fillojnë bombardimet në Siri


Avionët britanik filluan sulmet ajrore në Siri vetëm pak orë pasi që deputetët në Londër miratuan zgjerimin e strategjisë për të mposhtur grupin Shteti Islamik.

Avionët Tornado të Forcave Mbretërore, u ngritën nga baza britanike në Qipro, kryen sulme në Siri dhe u kthyen të sigurt në bazë, thanë të dielën herët në mëngjes zyrtarët britanik të mbrojtjes.

Zyrtarët nuk dhanë hollësi rreth shënjestrave të sulmeve apo rezultateve të tyre.

Pas dhjetë orë debatesh, deputetët britanik miratuan të mërkurën kërkesën e kryeministrit David Cameron, për të marrë pjesë në sulmet ajrore kundër grupit Shteti Islamik në Siri. Në mbështetje të sulmeve votuan 397 deputetë ndërsa 223 ishin kundër.

Kryeministri Cameron, i cili foli në parlament tha se sulmet ajrore do të jenë “pjesë e një strategjie të gjerë” për të mundur lëvizjen militante.

​Britania ka kryer sulme ajrore në Irak për më shumë se një vit dhe Cameron u kërkoi ligjvënësve zgjerimin e tyre edhe në Siri për të sulmuar militantët që siç tha ai, po komplotojnë sulme në perëndim.

Presidenti amerikan, Barack Obama, mirëpriti vendimin, duke thënë se Shteti Islamik “është kërcënim global dhe duhet të mposhtet në një përgjigje globale”.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ahston Carter, vlerësoi të mërkurën vendimin britanik për të zgjeruar sulmet ajrore në Siri. Ai tha se votimi është “dëshmi e forcës së koalicionit tonë dhe nënvizon rëndësinë e marrëdhënieve të veçanta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar”.

Carter përgëzoi Gjermaninë po ashtu për mbështetjen e saj ndaj koalicionit. Të premten ligjvënësit gjerman votuan në favor të dërgimit të rreth 1 mijë e 200 trupave dhe mbështetjen shtesë për fushatën ajrore.

Kryeministri Cameron për një kohë të gjatë ka kërkuar zgjerimin e rolit të Britanisë në koalicionin kundër IS-it të drejtuar nga amerikanët. Por, mbështetja publike ishte e paqëndrueshme për shkak të shqetësimit se sulmet mund të mos jenë të frytshme dhe mund të çojnë në një përfshirje ushtarake afatgjatë.

Kreu i Partisë Laburiste të opozitës, Jeremy Corbyn tha se zoti Cameron “nuk ka arritur të bindë pothuajse askënd” se forcat tokësore do të ishin në gjendje të rimerrnin kontrollin e territorit që mbahet aktualisht nga Shteti Islamik, nëse goditjet ajrore britanike arrijnë të ndihmojnë koalicionin të fitojë epërsi ndaj ekstremistëve.

XS
SM
MD
LG