Lidhje

Britania fajëson Phenianin për sulmin kibernetik në maj


Ministri britanik për Sigurinë Ben Wallace tha të premten se vendi i tij besonte "fuqimisht" se Koreja e Veriut ishte përgjegjëse për sulmin kibernetik që ndodhi në muajin maj.

Si pasojë e sulmit shërbimet qeveritare dhe ato të bizneseve në të gjithë botën, pësuan çrregullime, përfshirë dhe shërbimet e një të tretës së spitaleve angleze.

"Koreja e Veriut është shteti që ne besojmë se u përfshi në këtë sulm mbarëbotëror në sistemet tona", tha ministri britanik Wallace në një intervistë për transmetuesin britanik BBC. Ai shtoi se qeveria ishte "mëse e sigurt" për këtë.

Gjatë sulmit me të ashtëquajturin virusi "WannaCry" u infektuan më shumë se 300 mijë kompjutera në 150 vende.

Në një raport të publikuar të premten nga Zyra Kombëtare e Kontrollit në Agli (NAO) thuhej se WannaCry ishte një sulm relativisht i lehtë, të cilin Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) mund ta kishte parandaluar nëse do të zbatonte praktikat më të mira të teknologjisë së informacionit.

Shefi për sigurinë dixhitale në NHS Dan Taylor e cilësoi ngjarjen si "një sulm ndërkombëtar të një shkalle të papreçedentë" nga i cili, siç tha, agjencia ka "mësuar shumë".

Ministri për Sigurinë Wallace tha se Britania duhet të veprojë shpejt për të forcuar programin e saj të sigurisë kibernetike.

Në sulme të kësaj natyre, përdoret një lloj virusi që kodon dosjet në kompjuterat e infektuar, duke kërkuar para për zhbllokimin e tyre.

XS
SM
MD
LG